“Dhuna nuk i shërben asnjë kauze”, Pirro Vengu: Studentët nuk duhen përdorur politikisht
Dritare.net

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka reaguar lidhur me protestat e dy ditëve të fundit duke shprehur mbështetjen për të rinjtë dhe të drejtën e tyre për të protestuar, por duke dënuar njëkohësisht dhunën dhe vandalizmin.
Përmes një reagimi, Vengu u shpreh se studentët nuk kanë nevojë për orientim politik apo për persona që flasin në emër të tyre, pasi kanë zërin, arsyet dhe të drejtën për të protestuar, por edhe për të zgjedhur të mos marrin pjesë në protesta.
“Studentët nuk kanë nevojë për suplement politik që t’i orientojë, as për kujdestarë që të flasin në emër të tyre. Ata kanë zërin, arsyet dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Po aq sa kanë të drejtën të zgjedhin të mos protestojnë”, u shpreh Vengu.
Ish-ministri nënvizoi se shqetësimet dhe aspiratat e të rinjve meritojnë të dëgjohen, ndërsa theksoi se dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze dhe nuk mund të justifikohen nga zemërimi apo pakënaqësia.
Sipas Vengut, ata që ushtrojnë dhunë dhe më pas fshihen pas studentëve po e përdorin kauzën e tyre për interesa të tjera.
Në reagimin e tij, Vengu kritikoi gjithashtu pedagogët që, sipas tij, kërcënojnë me ulje notash studentët që nuk marrin pjesë në protesta, si dhe deputetët që përpiqen të përfitojnë politikisht nga shqetësimet e të rinjve.
Reagimi i plotë:
Unë besoj se Shqipëria është e bekuar me të rinjtë që ka. Studentët e duan Shqipërinë, e duan atdheun. Nuk e djegin!
Studentët nuk kanë nevojë për suplement politik që t’i orientojë, as për kujdestarë që të flasin në emër të tyre. Ata kanë zërin, arsyet dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Po aq sa kanë të drejtën të zgjedhin të mos protestojnë.
Shqetësimet dhe aspiratat e tyre meritojnë të dëgjohen. Por dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze. Zemërimi dhe pakënaqësia nuk i përligjin. Ata që ushtrojnë dhunë verbërisht e pastaj fshihen pas studentëve, po e përdorin kauzën e tyre.
Pedagogët që kërcënojnë me ulje notash ata që nuk protestojnë, apo deputetët që kërkojnë të rishpikin veten në kurriz të dilemave dhe aspiratave legjitime të rinisë, vetëm sa e thellojnë hendekun e besimit me një brez që paragjykohet shumë dhe dëgjohet pak.
Të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të vendosin vetë. Edhe kur protestojnë. Edhe kur zgjedhin të mos protestojnë.