Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministrja Kumbaro për protestën: Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre

Ministrja Kumbaro për protestën: Studentët nuk mund ta

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë dhe dëmtimit të godinës së ministrisë. Përmes një mesazhi, ajo dënoi shkatërrimin e pronës publike dhe private, duke theksuar se institucionet duhet të jenë hapësira dialogu dhe jo përplasjeje. “Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre”, u shpreh Kumbaro, e cila garantoi se Ministria e Arsimit do të vijojë të jetë e hapur për komunikim me studentët.

Reagimi i plotë i ministres Mirela Kumbaro:

Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera.

Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.

Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kërkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe:

Dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;
Dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publikë, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën!
Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.

Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve të fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje.

Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.

Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit:

Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;
Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;
Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 eurosh!
Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrsesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private.

Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre.

Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.

Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale, por edhe dokumente, dhe duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.

Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.

Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t'ju shtyjë drejt akteve të dhunës.

Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!