
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar si paqësore protestën 9-orëshe në Tiranë, e cila u shoqërua me akte dhune, sulme ndaj institucioneve, shkatërrim biznesesh dhe përplasje me Policinë. Pavarësisht skenave të dhunës, ku protestues të maskuar sulmuan Ministrinë e Arsimit dhe hynë deri në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Berisha akuzoi Policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe u ka bërë thirrje demokratëve të mbështesin nesër protestën në 14:00.
Në reagimin e tij, Berisha e cilësoi ndërhyrjen e Policisë si dhunën më të egër ndaj studentëve që prej vitit 1990, duke e krahasuar kryeministrin Edi Rama me ish-diktatorin Ramiz Alia.
“Dita dhe nata më e egër e regjimit ndaj rinisë studentore që nga viti 90 e deri sot. Sot, padrino i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtoi ndaj studentëve në protestë paqësore dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90-ës ndaj studentëve liberatorë. Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetarë dhe gazetare që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare, iu thyen gjymtyrët, u plagosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks, në të gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste. Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrë në kohën kur ai nuk p kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre. Të tjerëve, banorëve u kanë hedhur në ballkon bombolat e gazit, gazetarëve u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë”, tha Berisha.
Ai drejtoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Arsimit, Ervin Demo, duke i bërë përgjegjës për dhunën që pretendon se është ushtruar ndaj protestuesve.
“Dhuna e egër, thyerja e kockave, çarja e kafkave, plagë të tjera mbi protestuesit janë fytyra e vërtetë e Ramës, janë fytyra e vërtetë e Ervin Demos. Mendoni kush ka qenë zëvendësministri i Arsimit, çfarë turpi, çfarë krimineli.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e PD-së, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri, të mbështesin protestën e studentëve dhe kërkesën e tyre për largimin e Ramës. Nesër, në të njëjtën orë, para Ministrisë së Arsimit. Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve.
Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia. Nesër është dita e studentëve dhe atyre që mbështesin kauzën studentore”, tha Berisha./dritare.net