Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Rama nga Luksemburgu: Pandëshkueshmëria ka marrë fund!

Arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Rama nga Luksemburgu:


Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Luksemburgu pyetjeve për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, duke komentuar projektin e planifikuar në Zvërnec dhe arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

I pyetur për projektin në Zvërnec, të lidhur në diskutimet publike me emrin e Jared Kushnerit, Rama tha se bëhet fjalë për një projekt më të gjerë sesa një emër i vetëm. Ai theksoi se synimi është realizimi i një investimi që të shërbejë si model për zhvillimin në harmoni me natyrën.

“Do t’ju ftoja të vini në Shqipëri, sepse nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh me filtrat e medias online. Nuk e di çfarë kuptoni me projektin e Kushnerit, por është përmendur një projekt që përfshin shumë më tepër sesa një emër”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se projekti ka ambicie të mëdha dhe se reagimet e përcjella në mbarë botën kanë ndihmuar, sipas tij, në përmirësimin e tij dhe në arritjen e rezultateve më bindëse krahasuar me fazën fillestare.

“Kemi një ambicie të madhe dhe duam ta realizojmë si një model se si mund të investohet në harmoni me natyrën. Edhe manifestimet që janë përcjellë në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar projektin dhe për të arritur rezultate më bindëse sesa në fillim. Kjo mbetet diçka për t’u provuar”, tha Rama.

Kryeministri u pyet edhe për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH. Në përgjigjen e tij, Rama u ndal te reforma në drejtësi dhe funksionimi i institucioneve, duke e paraqitur këtë zhvillim si tregues se sistemi po vepron.

“Sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, njiheshim si atdheu i pandëshkueshmërisë, ndërsa tani njihemi si pararojë. Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Askush nuk është më mbi ligjin”, deklaroi Rama.

Kryeministri e lidhi kështu përgjigjen e tij me atë që e konsideron një ndryshim në funksionimin e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin./K.C/dritare.net