Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tiranë, përshkallëzohen protestat: Policia përdor gaz lotsjellës, protestuesit hedhin gurë drejt efektivëve

Tiranë, përshkallëzohen protestat: Policia përdor gaz

Protestat në kryeqytet janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Që në orët e para të mëngjesit, grupe nxënësish dhe studentësh bojkotuan mësimin dhe marshuan në rrugët e Tiranës, për t’u mbledhur rreth orës 10:30 para Ministrisë së Arsimit.

Ndryshe nga një ditë më parë, kur policia ishte treguar më e tërhequr, këtë herë reagimi i efektivëve ishte i menjëhershëm. Sapo protestuesit mbërritën pranë godinës së Ministrisë së Arsimit, policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre, duke përdorur gaz lotsjellës.

Nga ana tjetër, protestuesit, një pjesë e të cilëve ishin të maskuar, iu përgjigjën efektivëve duke hedhur gurë në drejtim të tyre, duke përshkallëzuar situatën.

Tensione u regjistruan edhe pranë Kuvendit, ku mbërriti një grup protestuesish. Edhe në këtë zonë policia ndërhyri menjëherë, ndërsa nisën shoqërimet e para.

Protestat kanë nisur që rreth orës 09:00, me grupe nxënësish dhe studentësh që bojkotuan mësimin për t’iu bashkuar tubimeve. Gjatë marshimit, disa protestues dogjën kosha mbeturinash në rrugën e Elbasanit, ndërsa u raportua edhe për shkulje tabelash rrugore dhe dëmtim semaforësh.

Ndërkohë, protesta më të vogla janë raportuar edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Korçë./L.F-dritare.net