
Kur një superqindvjeçare, dikush mbi 110 vjeç, intervistohet, pyetja e pashmangshme është: cili është sekreti i jetëgjatësisë?
Por çfarë nëse ky sekret mund të studiohej shkencërisht? Çfarë mund të na tregojë gjenoma e tyre për procesin e plakjes dhe përse ata shmangin sëmundjet që marrin jetët e shumicës? Dhe, nëse zbulohen përgjigje, a mund t’i ndihmojnë edhe të tjerët të jetojnë gjatë?
Këto pyetje janë në qendër të një studimi të publikuar së fundmi në revistën Cell Reports Medicine, i cili hetoi gjenomën e Maria Branyas Morera, një grua me origjinë amerikane që jetonte në Spanjë dhe që vdiq në gusht 2024, në moshën 117 vjeç e 168 ditë, pak pasi ishte bërë njeriu më i moshuar në botë.
Dr. Manel Esteller, studiues në Institutin e Kërkimeve të Leuçemisë “Josep Carreras” në Barcelonë dhe bashkautor i studimit, tregoi se Branyas ishte një person i jashtëzakonshëm dhe bashkëpunuese. Mostrat e gjakut, pështymës, urinës dhe jashtëqitjes së saj u analizuan për t’u krahasuar me ato të 75 grave të tjera iberike.
Përfundimi i studimit ishte i qartë: jetëgjatësia e Branyas erdhi si rezultat i një kombinimi mes fatit gjenetik dhe stilit të shëndetshëm të jetesës. Ajo kishte gjene që e mbronin nga sëmundjet e zakonshme të plakjes, por gjithashtu jetoi thjesht e shëndetshëm – pa duhan, pa alkool, duke bërë ecje çdo ditë, dhe duke ndjekur një dietë mesdhetare me vaj ulliri dhe kos. Veçanërisht, konsumonte tre racione kos çdo ditë, çka sipas shkencëtarëve mund të ketë ndihmuar në ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme dhe uljen e inflamacionit.
Gjithashtu, studiuesit identifikuan te ajo variante gjenesh që lidhen me funksionin imunitar, shëndetin e trurit dhe zemrës, si edhe me metabolizimin e yndyrnave. Ky kombinim unik gjenetik dhe jetese e lejoi Branyas të jetonte një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse ky është një studim mbi një individ të vetëm, ai tregon se plakja e shëndetshme nuk është një rastësi e pashmangshme. Siç tha profesorja Claire Steves nga King’s College London: “Sëmundja në moshë të thyer nuk është e pashmangshme. Ajo vjen si rezultat i mekanizmave biologjikë – mekanizma që mund të ndryshohen.”
Shkencëtarët shpresojnë që zbulime të tilla të ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve të reja që synojnë plakjen e shëndetshme. Megjithatë, qëllimi nuk është që të gjithë të arrijmë moshën 117 vjeç, por që vitet e jetës të jenë sa më të shëndetshme dhe të pavarura – ashtu siç ia doli Maria Branyas./L.F-dritare.net

















