
Profesor i Harvardit jep 3 këshilla të thjeshta si të rrisim fëmijë të lumtur!
Dritare.net
Prindërit duan gjithmonë më të mirën për fëmijët e tyre, por shpesh i ndjek frika se mos bëjnë gabime. Sipas Arthur Brooks, profesor dhe studiues i shoqërisë në Harvard, ky ankth është i panevojshëm. “Do të bëni shumë gabime, por shumica nuk kanë asnjë rëndësi,” thotë ai për CNBC. Sekreti, sipas tij, nuk është të shmangësh çdo të metë, por të fokusohesh në ato gjëra që vërtet ndikojnë në rritjen dhe lumturinë e fëmijës: dashuri pa kushte, prani dhe shembull pozitiv.
Brooks, vetë baba i tre fëmijëve, tregon se dikur i kushtonte shumë rëndësi notave të të birit në shkollë, derisa kuptoi se më e rëndësishme se rezultatet ishte të rritej një njeri i mirë dhe i lumtur. Ai ndryshoi qasjen, duke folur më shumë për vlerat, mirësinë, përgjegjësinë, etikën dhe kjo solli qetësi në marrëdhënie.
Ekspertët theksojnë se jo të gjitha gabimet janë njësoj. Edhe kur ndodhin, ato mund të kthehen në mësim: fëmijët mësojnë si të kërkojnë falje, të rimëkëmben dhe të ecin përpara. Përkundrazi, ankthi për “prindërim perfekt” dëmton si prindin ashtu edhe fëmijën, duke kaluar tensionet te të vegjlit.
Në librin “The Happiness Files”, Brooks përmbledh tri këshilla kryesore për të rritur fëmijë të lumtur:
-Edhe prindërit që ndihen të pasigurt mund të jenë të mirë. Nuk janë gjenet ato që përcaktojnë gjithçka, por sjellja, struktura dhe shembulli i përditshëm.
-Kur nuk dini çfarë të bëni, tregoni dashuri. Dashuria pa kushte është baza e sigurisë emocionale.
-Bëhuni njeriu që doni të bëhen fëmijët tuaj. Fjalët nuk mjaftojnë; veprimet janë ato që fëmijët imitojnë.
Mesazhi është i qartë: prindërimi nuk kërkon perfeksion, por prani, vlera dhe dashuri. Këto janë gurët e themelit për fëmijë të shëndetshëm dhe vërtet të lumtur./K.C/dritare.net

















