
Biznesmeni italian ekzekutohet me armë zjarri në Tepelenë
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Tepelenës pak pas mesnatës së sotme. Një biznesmen italian, i identifikuar si Edoardo Sarchi, 44 vjeç, është gjetur i vrarë me armë zjarri në fshatin Salari.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Dilan, në aksin rrugor Nivicë–Salari. Sipas burimeve, autorët kanë hapur zjarr me armë automatike ndaj automjetit ku udhëtonte Sarchi. Fillimisht është qëlluar në drejtim të gomave të makinës, ndërsa më pas plumbat e breshërisë e kanë kapur drejtpërdrejt biznesmenin, duke i marrë jetën në vend.
44-vjeçari italian, i cili jetonte dhe punonte prej disa vitesh në Shqipëri, rezulton pronar i një fabrike tullash në Tiranë. Ende nuk dihen shkaqet dhe motivet e atentatit.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

















