
Kush e vrau biznesmenin italian në Tepelenë? Ja çfarë dëshmuan të shoqëruarit në polici!
Dritare.net

Eqerem Braçe së bashku me dy fëmijët e tij, Daniel dhe Gazmend Braçe si dhe një person i 4-t, janë të shoqëruarit në polici, si personat që kanë dijeni mbi vdekjen e italianit Edoardo Sarchi, i cili u gjet i vdekur nga policia në anë të rrugës në vendin e quajtur Dilan mes Nivicës dhe Salarisë pak pas mesnatës.
Daniel Braçe, Gazment dhe Eqerem Braçe janë marrë 4 herë në pyetje, fillimisht nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, Prokuroria, Specialistët e Krimeve të Rënda e në fund përsëri nga OPGJ. Kjo marrje në pyetje është bërë për shkak se të tre këta persona kanë dhënë dëshmi kontradiktore me njëri-tjetrin. Ndërkohë personi i 4-t nuk është thirrur ende për tu marrë në pyetje.
Burime kanë bërë me dije se viktima Edoardo Sarchi ka qenë në shtëpinë e Eqerem Braçes mbrëmjen e djeshme e ndodhur në Salari. Nga aty ata kanë vendosur për të dalë për gjah. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur më tej, nëse kemi të bëjmë me vrasje apo ngjarje aksidentale, pasi në zonë nuk ka asnjë kamer sigurie.
Fillimisht këta persona kanë thënë se e kanë gjetur italianin Edoardo Sarchi të vdekur në anë të rrugës, e më pas kanë thënë se e kanë gjetur të plagosur dhe u vdiq në duar, ndërsa versioni i tjetër është se ka qenë së bashku për gjah dhe se dikush u kishte prerë rrugës dhe u ka qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë trupi i viktimës ndodhet në Tiranë ku po kryet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes si dhe për të kuptuar nëse plaga në kofshë është shkaktuar nga qitja me armë zjarri apo është shkaktuar nga diçka tjetër.
Ndërkohë për ekspertizë janë dërguar dhe 2 armë gjahu për të kuptuar nëse me këto armë është bërë qitje dhe a kanë lidhje me plagën e konstatuar në trupin e viktimës.
Sakaq, Eqerem Braçe në momentin e shoqërimit për në komisariatin e Gjirokastrës është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore./dritare.net

















