
Netët pa gjumë që fshehin një kërcënim të padukshëm
Dritare.net
Netët pa gjumë nuk sjellin vetëm lodhje apo vështirësi përqendrimi. Një studim i gjerë i Mayo Clinic në SHBA tregon se pagjumësia e vazhdueshme mund të dëmtojë trurin, duke rritur rrezikun për humbje të kujtesës dhe zhvillimin e demencës.
Në kërkimin, i cili ndoqi rreth 2,750 persona mbi 50 vjeç për më shumë se pesë vjet, u zbulua se ata që vuanin nga pagjumësia kronike kishin 40% më shumë gjasa të zhvillonin çrregullime njohëse ose demencë, krahasuar me ata që flinin rregullisht. Skanimet e trurit treguan grumbullim të pllakave amiloide – një shenjë e sëmundjes Alzheimer, si dhe dëmtime të lëndës së bardhë, të cilat ndikojnë në komunikimin midis qelizave nervore.
Efekti ishte edhe më i fortë tek ata që jo vetëm që flinin pak, por kishin net të tëra pa gjumë. Në disa raste, truri i pjesëmarrësve tregonte shenja plakjeje të parakohshme, të barasvlefshme me rreth katër vite më shumë se mosha reale. Ndërkohë, personat që raportuan përmirësim të gjumit shfaqën më pak dëmtime në tru.
Shkencëtarët theksojnë se gjumi cilësor është një nga faktorët më të rëndësishëm dhe të modifikueshëm për mbrojtjen e shëndetit të trurit. Trajtimi më efektiv për pagjumësinë mbetet terapia njohëse-sjellore, e cila sipas të dhënave përmirëson gjumin në rreth 70% të rasteve.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrja në moshë të mesme është thelbësore, pasi korrigjimi i problemeve të gjumit mund të ngadalësojë proceset që çojnë në rënie të kujtesës dhe demencë në vitet e mëvonshme./K.C/dritare.net

















