Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhjet në Tiranë, ja çfarë thotë Berisha!

Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhjet në Tiranë, ja çfarë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër sot pas mbledhjes së qeverisë që vendosi për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi procesin “një farsë antikushtetuese”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të shmangë drejtësinë dhe ta mbrojë Veliajn nga ndjekja penale.

“Unë kam denoncuar arrestimin e Gjushit (Vangjush Dakos) me qëllimin e vetëm, për ta futur në qeli me Erion Veliajn. Çfarë po ndodh? Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese, në mënyrë që të dalë nga burgu, të ndiqet i lirë dhe të ketë lehtësira. Ky është misioni i Gjushit, që është një urith,” u shpreh Berisha.

Duke sulmuar Ramën, Berisha theksoi se vendimi për shkarkimin e Veliajt është i pavlefshëm:

“Varianti që po përdor Edi Rama është antikushtetues. Ai kërkon t’u thotë shqiptarëve se nuk e shkarkova unë, por thjesht noterizova vendimin e këshilltarëve. Por kurrë fuqia ekzekutive nuk është noterizuese, ajo është ekzekutive. Ky është një mashtrim për të shpëtuar Veliajn nga Gjykata Kushtetuese.”

Berisha sqaroi edhe qëndrimin e opozitës në votim, duke thënë se pavarësisht se kanë kërkuar largimin e Veliajt prej 46 javësh me protesta, procedura e ndjekur nga mazhoranca bie ndesh me ligjin:

“Ne kemi kërkuar largimin e tij dhe do votonim kundër në çdo moment. Por këto që sot bëjnë apoteozë për ‘Lal Vjedhësin’ po duan t’i zhdukin çdo lloj hapësire ligjore dhe kushtetuese.”

Kreu i PD-së e mbylli deklaratën duke paralajmëruar se opozita nuk do të bojkotojë proceset politike, por do të vazhdojë betejën kundër asaj që e quajti “farsë zgjedhore”:

“Farsat janë farsa dhe nuk janë zgjedhje. Ne nuk bojkotojmë, por do t’i japim përgjigjen tonë me çdo mjet demokratik.”, tha Berisha./K.C/dritare.net