Na ndiqni edhe në

Bota

Kryeministrja daneze i kërkon falje banorëve të Groenlandës për kontracepsionin e detyruar

Kryeministrja daneze i kërkon falje banorëve të Groenlandës

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka kërkuar falje publike për një nga kapitujt më të errët të historisë daneze në lidhje me Groenlandën – programin e kontracepsionit të detyruar që ka prekur mijëra gra dhe vajza adoleshente, shpeshherë pa pëlqimin e tyre.

Shumë nga viktimat, të veshura me të zeza, shpërthyen në lot gjatë ceremonisë së mbajtur në Qendrën Kulturore Nuuk, ndërsa dëgjonin në heshtje kryeministren daneze.


“Sot, mund t’ju them vetëm një gjë: Më vjen keq për padrejtësinë që pësuat sepse ishit grenlandezë. Më vjen keq për atë që ju mor dhe për dhimbjen që ju shkaktoi, në emër të Danimarkës. Më vjen keq”, tha Frederiksen.

Një nga viktimat, 66-vjeçarja Kirstine Bertelsen, i tha AFP-së se ceremonia i kishte lejuar asaj “të vazhdonte jetën e saj pa urrejtje, zemërim dhe negativitet që ta mundonin”.

Duke ardhur nga Danimarka për këtë ngjarje, 66-vjeçarja tha se mori pjesë për “arsye egoiste, për të parë dhe dëgjuar një falje për dy shtatzënitë ektopike që pati, qëndrimet e gjata në spital, operacionet dhe heqjen e një tubi fallopian”, shpjegoi ajo.

Fushata e kontracepsionit të detyruar filloi në fund të viteve 1960 dhe zgjati deri në vitin 1992 me qëllim kufizimin e shkallës së lindjeve në Groenlandë.

Deri në fund të viteve 1970, të paktën 4,070 gra ishin pajisur me një pajisje intrauterine, ose një në dy groenlandezë në moshë riprodhuese, sipas një studimi të paraqitur në fillim të shtatorit. Në shumicën dërrmuese të rasteve, kjo u bë pa pëlqimin e tyre, madje edhe në rastet që përfshinin të mitur.

Megjithatë, në një fjalim para Frederiksen, kryeministri i Groenlandës Jens Frederik Nielsen, u distancua nga deklaratat e saj.

“Kjo falje nuk nënkuptojnë se ne pranojmë atë që ndodhi. Ne jemi këtu sot sepse nuk e pranojmë atë që ndodhi”, tha Nielsen.

Në fund të gushtit, kryeministrja daneze bëri ​​një kërkesë faljeje për viktimat, duke përmbushur një kërkesë që gratë kishin bërë prej vitesh. Të hënën, Frederiksen njoftoi krijimin e një “fondi pajtimi” për të kompensuar gratë dhe banorët e tjerë të Groenlandës që janë diskriminuar për shkak të origjinës së tyre.