
Zv.ministri u shkarkua për një cigare, Rama: U bë llomotitje nga ata që u ka rënë Diella në kokë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur këtë pasdite një mbledhje me kabinetin e tij qeverisës në selinë rozë, ku u ndal te vendimi i ministres së Brendshme, Albana Koçiu, për shkarkimin e zv.ministrit Andi Mahila, pas fotografive që e treguan duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur.
Rama e konsideroi aktin e ministres si një masë të domosdoshme për respektimin e ligjit dhe rendit publik, duke kritikuar opozitën që sipas tij, e ktheu situatën në “hajgare”. Ai nënvizoi se hapësirat publike duhet të respektohen dhe se shkeljet do të trajtohen me rregulla të qarta ligjore.
"Të mos e përshëndesim këtë akt dhe të mos kërkojmë që ky akt të jetë normë, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, por të bësh hajgare me këtë, do të thotë që të jesh një bisht cigareje i mbetur më kot në taketuken e jetës demokratike, që askush nuk ka ndërmend ta ndezë më," tha Rama.
Ai gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të deputetëve dhe patronazhistëve, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve në Tiranë dhe qytete të tjera do të reflektojë angazhimin e tyre.
"Po flas për Tiranën, se pastaj për Matin, Vlorën, Beratin e çfarë ka thelluar, goditja e patronazhistëve të atjeshëm do të jetë më e fortë se ajo e Tiranës. Prapë se prapë do të zhvillohet një garë, sikurse do zhvillohet kudo, sepse në fund të fundit jemi këtu për të fituar çdo garë," përfundoi Rama./K.C/dritare.net

















