Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si më futi Hashim Thaçi në UÇK! Flet kolonel Goxhaj!

Si më futi Hashim Thaçi në UÇK! Flet kolonel Goxhaj!

Në një rrëfim ekskluziv në emisionin Shqip nga Dritan Hila, ish-koloneli ushtarak, Dilaver Goxhaj, ka treguar hyrjen e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njohjen me udhëheqësit e saj dhe rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Para këtij angazhimi, ai kishte botuar shkrime dhe materiale informative në gazetën Rilindja, duke mbështetur kështu kauzën e UÇK-së.

Goxhaj tregon se u angazhua në luftë pas ngjarjeve të Prekazit dhe qëndrimit të tij në Shqipëri:

“Unë jam angazhuar në luftën për Kosovën pas luftës që bëri familja Jashari në Prekaz. Në atë periudhë isha i liruar në Shqipëri dhe bëja shkrime për UÇK-në në gazetën Rilindja. Në tetor, më kontaktuan nga shtabi dhe më thanë se do të përfshihesha në planifikimin e veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për në Shqipëri.", tha ai.

Ky ishte fillimi i një angazhimi të drejtpërdrejtë në operacionet e UÇK-së, duke u futur gradualisht në strukturat e saj.

Takimi me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Njohja me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë ishte një moment vendimtar:

“Hashim Thaçi kishte ardhur në Shqipëri dhe më ftoi në takim te Don Bosko në Tiranë. Ishte janar. Thaçi më tha se do të kontriboja në organizimin e veprimeve të UÇK-së dhe konferencat ndërkombëtare,” rrëfeu Goxhaj.

Gjatë këtij takimi, u përcaktuan detyrat e tij dhe mënyra se si do të angazhohej në operacionet ushtarake.

Nisja nga Tirana, në Tetovë për në Kosovë dhe organizimi i shtabit

Më 7 mars 1999, Goxhaj u nis bashkë me Thaçin drejt Kosovës, ku gjatë rrugës u takua me shefin i informacionit sekret të UÇK-së, Kadri Veselin dhe oficerë të tjerë të UÇK-së:

“Nga Tetova vazhduam drejt Kosovës. Më caktuan si ndihmësshef të shtabit për të gjithë ushtarët e Kosovës. Shtabi ishte nën komandën e kolonelit Bislim Zyrapi, i cili kishte luftuar në Bosnjë deri në nivel komandant divizioni. Thaçi më kishte vënë një pseudonim, Shpëtim Golemi. Kështu më njohën të gjithë." tha ai në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV./K.C/dritare.net