
Monika Kryemadhi për SPAK-un: Kërcënojnë dhe intimidojnë qytetarët si kriminelët!
Dritare.net
Seanca paraprake për dosjen ‘Meta’ u shty për më datë 9 tetor. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Ilir Metës, Kujtim Cakrani. Ky i fundit kishte dërguar në sekretarinë e Gjykatës një kërkesë për shtyrje, për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas daljes nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Monika Kryemadhi foli për mediat duke paralajmëruar se do të jetë shumë shpejt në ekranet e televizionëve për të komentuar dosjen dhe hetimet në të cilat është përfshirë.
“Nuk ishte i pranishëm zoti Meta, ishin të tjerët. Por kjo nuk ndikon në mënyrë të veçantë. Materialet janë voluminoze dhe u japin mundësi avokatëve të njihen me to. Shumë shpejt do të jem në të gjithë televizionet për të ndjekur hap pas hapi dosjen dhe mënyrën e të vepruarit,” tha Kryemadhi.
Ajo kritikoi ashpër SPAK-un dhe procesin e hetimit:
“Procesi lë shumë për të dëshiruar për mënyrën dhe metodologjinë që është përdorur. SPAK dhe i gjithë procesi ka qenë shumë i zënë me intimidimin dhe kërcënimin e dëshmitarëve. Në dëshmitë që kam lexuar, të gjithë dëshmitarët kanë përballuar presionin dhe intimidimin, por kanë thënë të vërtetën. Por s’kanë çfarë thonë ndryshe,” tha Kryemadhi.
Ajo vazhdoi duke krahasuar praktikat e SPAK me dhunën fizike: “Ku ndryshon një kriminel që vendos një pistoletë në kokë një biznesmeni, një prokurori, një politikani, nga një institucion si ky që kërcënon, intimidon, shantazhon, linçon një qytetar që nuk pranon të thotë atë që dëshiron prokurori në dosje?”
Kryemadhi kritikoi gjithashtu akuzat për korrupsion pasiv: “Kryemadhi dhe Meta akuzohen për korrupsion pasiv, por nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv. Mosbërja e hetimit në thelb lë shumë hapësirë për shpërdorim nga ana e SPAK. Do të ballafaqohemi me dokumentet, duke filluar nga letërporositë dhe aktet financiare të njëanshme që lidhen me mamanë time,” deklaroi Kryemadhi./L.F-dritare.net

















