
Për vizitë tek Amishët. Trump tha që nuk sëmuren kurrë
Dritare.net
Nga Kozeta Turishta
"Welcome to Lancaster County.” Kështu nisi kjo e dielë për mua, si një nder fundjavat më interesante.
Mjafton vetëm dëshira të zgjohesh herët në mëngjes dhe të nisesh drejt shtetit të Pensilvanisë, në kontenë e famshëm dhe historike Lankester, atje ku jeton komuniteti i amishëve. Një popull aspak i zakonshëm për nga traditat dhe mënyra e jetesës që ata bëjnë. M'u deshën diku katër orë rrugë të mbërrija e të shihja brenda një dite sesi jetojnë amishët dhe çfarë simbolizon dita e diel për ata.
Një fshat i qetë, i rrallë për nga bukuria natyrore, me shtëpi dykatëshe tipike amerikane. Ajo që binte në sy menjëherë ishin karrocat me kuaj që shkonin e vinin në çdo moment, si i vetmi mjet transporti për amishët. Ishte jo e lehtë të takoje banorët e këtij fshati të dielave, pasi të rritur e fëmijë shkonin prej mëngjesit në Kishë, siç njihen dhe për devotshmërinë që kanë ndaj Zotit.
Amishët, ndryshe nga shoqëria amerikane, njohin e respektojnë të tjera vlera. Ata respektojnë identitetin e grupit mbi atë të individit.
Flasin tre gjuhë: një për jetën e përditshme, një për në kishë dhe e treta për tregtinë më botën që i rrethon. Gjuha e tyre e trashëguar është një degë e gjermanishtes që quhet gjermanishtja e Pensilvanisë. Pas ardhjes në Amerikë, ruajtja e gjuhës, u kthye në simbol të mbijetesës së origjinalitetit dhe identitetit të tyre. Fëmijët mësojnë anglisht kur shkojnë në shkollë, por ajo kurrë nuk bëhet si gjuhë e nënës për ta.
Gjuha e Zotit, është gjermanishtja e vjetër në të cilën lexojnë Biblën, thonë lutjet dhe këndojnë himnet e vjetra. Gjithsesi, kur shumica e amishëve jetojnë e punojnë në fermë dhe anglishtja është e kufizuar vetëm për aq sa u duhet, kryesisht për shitje produktesh e komunikimit me blerësit, shkruan dritare.net
Amishët nuk përdorin telefonat, radion, televizorin e pajisjet e tjera elektrike.
Martesat bëhen vetëm brenda fesë së tyre, komunitetit amish, çdo përjashtim nga ky 'ligj' ndëshkohet nga familja dhe shoqëria.
Studimet e fundit tregojnë se amishët konsiderohen si i vetmi popull që nuk preken kurrë nga sëmundjet e këqija, kjo ndodh për arsye se bëjnë një jetë të shëndetshme dhe ushqimet bio të prodhuara nga vetë ata.
Të duket si e pabesueshme jo shumë larg Nju Jorkut magjik, që e ëndërron çdo njeri ta shijoj njëherë në jetë qytetin vezullues. E nga ana tjetër vetëm katër orë më larg ekziston një jetë aq primitive që daton prej shekujsh duke respektuar dhe ruajtur pastërtinë e besimit të stërgjyshërve të tyre si një tabu që është kultivuar nga brezat e rinj e që vazhdon me një devotshmëri të jetojnë të lumtur me traditat e tyre, krejtësisht të shkëputur nga bota moderne, nga politika dhe çdo faktor tjetër i jashtëm.
Gratë amishe, gjatë ditës merren me bujqësi dhe punime dore. Ndalova në një dyqan artizanal të njohur të zonës, ku u njoha me një tjetër vepër arti, kështu do i quaja, punimet e dorës nga vetë këto gra të mrekullueshme që i kishin krijuar. Qilima tradicional të punuar me dorë, sende druri të ndryshme, apo suvenirë të shumëllojshme.
Pavarësisht çfarë të tjerët mendojnë për jetesën e zakonet e tyre aq të prapambetura, komuniteti amish ndihet krenar për origjinën dhe mënyrën sesi jetojnë, që nga fëmijët të veshur ashtu tradicionalisht, gocat me shamitë karakteristike dhe meshkujt në të zeza që e kanë simbol dashurie ndaj Zotit dhe Kishës! Në pamje të parë, duken njerëz të qetë, fytyra të buzëqeshura të grave e vajzave të reja.
Ishte një ndër ditët më të veçanta, më bëri të kuptoja më shumë që jetën e bëjmë ne, lumturinë e ndërtojmë po ne dhe asgjë s'ka më vlerë sesa dashuria për njeri-tjetrin.
Në këtë rast do citoja një proverb të njohur: "Hands build houses, love builds homes". Sepse, Njeriu është vërtetë një potencial i jashtëzakonshëm dhe dashuria është forca e vetme që e bën jetën më të thjeshtë e më të bukur për të gjithë!/ dritare.net

















