Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Si ta kuptoni nëse kafsha juaj ka alergji!

Si ta kuptoni nëse kafsha juaj ka alergji!

Veterinerët shpjegojnë se si mund të kuptoni nëse kafsha juaj shtëpiake vuan nga alergjitë, një problem gjithnjë e më i shpeshtë te qentë dhe macet, veçanërisht gjatë stinëve me polen.

Sipas specialistëve, kafshët mund të preken nga alergji të ndryshme, përfshirë polenin, pluhurin, ushqimin apo edhe pickimet e insekteve. Ndryshe nga njerëzit, te kafshët simptomat nuk shfaqen zakonisht me teshtima dhe rrjedhje hundësh, por kryesisht në lëkurë.

Shenjat më të zakonshme janë kruajtja e vazhdueshme, lëpirja ose kafshimi i putrave, kruarja e trupit, skuqja e lëkurës, si dhe sekrecione në sy apo infeksione të veshit. Në raste më të rënda, mund të krijohen edhe zona të inflamuara në lëkurë që përkeqësohen shpejt dhe mund të çojnë në infeksione bakteriale ose kërpudhore.

Ekspertët theksojnë se diagnostikimi i alergjive te kafshët është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, pasi fillimisht duhet përjashtuar çdo shkak tjetër si infeksionet e lëkurës, pleshtat apo parazitët e ndryshëm. Vetëm pasi këto të eliminohen, mund të dyshohet më fort për alergji.

Veterinerët këshillojnë që pronarët të vëzhgojnë me kujdes sjelljen e kafshës dhe nëse simptomat përsëriten, të mbajnë shënime për periudhat kur shfaqen, pasi kjo ndihmon në identifikimin e shkakut.

Trajtimet moderne përfshijnë medikamente që synojnë uljen e kruajtjes dhe inflamacionit, si dhe terapi më të avancuara që veprojnë në mënyrë më specifike mbi sistemin imunitar. Në disa raste përdoret edhe imunoterapia, e cila synon të “mësojë” trupin e kafshës të mos reagojë ndaj alergjenit.

Sipas ekspertëve, këto trajtime janë bërë më efektive në vitet e fundit dhe ndihmojnë shumicën e kafshëve të kenë një jetë më të qetë, megjithëse në disa raste terapia duhet të vazhdojë për një kohë të gjatë ose gjatë gjithë jetës./dritare.net