
10 vjet agjent i UDB-së, ja sa paguhej! Dëshmia tronditëse e kolonel Goxhaj!
Dritare.net
Ish-koloneli Dilaver Goxhaj, i ftuar në emisionin Shqip të Dritan Hilës në DritareTV, ka rrëfyer një episod dramatik nga hyrja e tij në Kosovë, kur mori detyrën si nënshef i komandës së Shtabit të Përgjithshëm. Ai tregon se si zbuluan dy agjentë të UDB-së brenda makinës me të cilën po dërgohej në komandë, që ishin arrestuar sepse kishin spiunuar UÇK-në.
Rrëfimi i Dilaver Goxhajt!
“Nga Tetova, bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, vazhduam drejt Kosovës dhe udhëtimi zgjati tre ditë. Atje më caktuan si nënshef shtabi për ushtrinë e Kosovës. Shtabi ku ndodhesha drejtohej nga koloneli Bislim Zyrapi, i cili kishte luftuar në Bosnjë dhe ishte komandant divizioni. Kur më hipën në fshatin Bukosh, më nxorën veç dhe më thanë që do iki në një vend tjetër. Më morën dhe më çuan në një shtëpi në Kaçanik. Pronari i shtëpisë më tha: “Ik shpejt se po të pret një xhip.” Erdhi makina të më marrë, bashkë me shoqëruesin, një djalë nga Tetova. Gjatë rrugës, makina u përplas dhe ra në një liqen sepse shoferi ishte pa gjumë; gjysma e saj ishte në ujë. Unë theva xhamin me një automatik dhe dola bashkë me shokun tim jashtë. Kur dolëm ne, nga bagazhi doli një njeri tjetër dhe iku me vrap. “U, spiuni!”, më tha mua, më mori automatikun, edhe iku ta ndjekë nga mbrapa. Unë do shpëtoja shoferin që po mbytej, kur më doli një spiun tjetër nga bagazhi. “Më ka arrestuar UÇK-ja për spiun.”, më tha. “Po pse nuk vret veten?”, i thashë. Në atë moment pasi më premtoi se nuk do bënte asgjë të keqe, e zgjidha dhe bashkë shpëtuam shoferin. Pastaj na erdhi një makinë e komandës së UÇK-së. Mori spiunin, ai tjetri që u arratis nuk u kap dot. Mbase sot, është njëri nga ata që dëshmojnë kundër UÇK-së në Hagë.
Në makinën e komandës së UÇK-së ishin edhe dy spiunë të tjerë të UDB-së, , të lidhur edhe ata. Ata kishin punuar si spiunë për dhjetë vjet dhe merrnin 2,000 marka në muaj.”, tregon Goxhaj në DritareTV.
Ky rast i rrezikshëm tregoi se sa thellë kishin depërtuar agjentët serbë në territorin e luftës dhe sa i madh ishte rreziku për jetën e luftëtarëve./K.C/dritare.net

















