
Topalli-Peleshit: Pyesni Ruçin nëse ka ndodhur ndonjëherë që në dekret të përfshihet një lodër teknologjike
Dritare.net
Deputetja demokrate Jozefina Topalli mbajti sot fjalën e saj të parë pas rikthimit në Kuvend, ku sulmoi ashpër futjen në rend dite të dekretit për “Diellën”, të cilin opozita e cilëson si antikushtetues.
Topalli e quajti të papranueshme përfshirjen e asaj që e përshkroi si një “lodër teknologjike” në një dekret zyrtar. Ajo i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi të këshillohet me ish-kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçin, për të parë nëse ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë në historinë parlamentare.
“Kushtetuta thotë që Shqipëria është republikë parlamentare dhe të gjithë deputetët janë betuar mbi të. Futja në rend dite e një dekreti antikushtetues, që më shumë ngjan me një meme, është gjëja më e pabesueshme. Mund të pyesni Ruçin nëse ka ndodhur ndonjëherë që në dekret të përfshihet një lodër teknologjike, apo që dita e parë e legjislaturës të nisë me ndryshime të rregullores pa konsensus”, deklaroi Topalli.
Ky reagim vjen mes tensioneve të opozitës me mazhorancën mbi dekretin e Presidentit Bajram Begaj që autorizon funksionimin e “ministres virtuale” Diella, për të cilin demokratët kanë paralajmëruar edhe ankimim në Gjykatën Kushtetuese./L.F-dritare.net

















