
Ndoshta nesër nuk do të jem më! CNN: Ja si ishte dita e parë e shkollës për fëmijët e Ukrainës!
Dritare.net

CNN i ka kushtuar një shkrim të detajuar jetës së fëmijëve dhe qytetarëve ukrainas nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve ajrore ruse. Në qendër të reportazhit është historia e Tim Hryshchuk, një 5-vjeçar nga Kievi, i cili ditën e parë të shkollës e kaloi në një bodrum, për shkak të alarmit ajror që ra më 2 shtator.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, Kievi ka përjetuar mbi 1,800 alarme ajrore, që kanë zgjatur mbi 2,200 orë në total. Sulmet janë bërë më të shpeshta dhe më intensive, sidomos gjatë ditës, pasi Rusia ka rritur prodhimin e dronëve dhe raketave.

Në shkollat ukrainase janë vendosur protokolle të rrepta sigurie, ku nxënësit mësojnë rrugët e evakuimit, si dhe kalojnë pjesë të orëve mësimore në strehë të improvizuara nën tokë. Sipas zëvendësdrejtoreshës së një gjimnazi në Kiev, çdo alarm ndikon jo vetëm në sigurinë fizike, por edhe në shëndetin mendor të nxënësve. “Disa fëmijë kanë fobi, të tjerë nuk e përballojnë dot qëndrimin me orë në strehë. Mësuesit përpiqen t’i mbajnë të angazhuar me lojëra apo biseda”, tha ajo për CNN.
Ndikimi i luftës ndjehet kudo. Në qendrat tregtare, njerëzit nuk shpenzojnë më për qejf, por blejnë shpejt dhe me qëllim, në rast se një alarm ndërpret ditën. “Shumë njerëz thonë: ‘Pse të pres nesër? Ndoshta nuk do të jem më’”, thotë drejtori i një qendre tregtare në Kiev.
Ndërkohë, vullnetarë civilë janë angazhuar në mbrojtjen ajrore, duke u stërvitur për të rrëzuar dronët me mitralozë apo me dronë interceptues. Rusia, sipas analistëve, po mban këtë ritëm të lartë sulmesh falë ndihmës teknologjike nga Kina, që i furnizon me çipa dhe pajisje që përdoren për qëllime ushtarake.
Ndërsa për disa fëmijë, si Timi, mësimi zhvillohet në nëntokë, në kushte të vështira, me çanta të mbushura me ujë, ushqim dhe numra telefoni emergjence. Në ditën e dytë të shkollës, Timi kaloi më shumë se tre orë në strehë. “Luaja lojëra dhe haja nga çanta. Ishte pak e mërzitshme,” i tha ai CNN-së. /E.P-dritare.net

















