Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga Kamza në Uashington! Historia e një prej 100 shkencëtarëve më të mirë në SHBA!

Nga Kamza në Uashington! Historia e një prej 100

Niko Qafoku, një emër i njohur në shkencën amerikane, ka nisur rrugëtimin e tij nga Shqipëria konkretisht nga Kamza, dhe sot udhëheq një nga laboratorët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara, Pacific Northwest National Laboratory në shtetin e Washingtonit. Ky institut kërkimor merret me zbulime në fusha kyçe si energjia, mjedisi dhe siguria kombëtare.

Në emisionin Dekalog në Dritare TV, Niko Qafoku ndau rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm nga Shqipëria drejt majave të shkencës në Shtetet e Bashkuara.

Qafoku tregon se iu bashkua këtij laboratori u vlerësua me çmimin prestigjioz R&D 100, njohje kjo që i jepet shkencëtarëve më të shquar në SHBA.

Historia e tij nis si pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe vijon me vendimin e guximshëm për të ndjekur karrierën jashtë vendit.

Ai tregon se nuk pati mundësi të shkonte menjëherë në fakultet, pasi ishte fëmija i dytë në familje dhe nuk i doli e drejta e studimit.

Dëshira e tij për dijen e çoi drejt Shteteve të Bashkuara fillimisht në Virginia Tech dhe më pas në Georgia, ku përfundoi doktoratën në kiminë e tokës dhe mjedisin, duke u fokusuar në mbrojtjen e natyrës dhe studimin e kontaminantëve.

Përveç doktoratës, ai ndoqi një master në matematikë të aplikuar, për ta ndihmuar në interpretimin e rezultateve të kërkimeve të tij. Në vetëm katër vjet, përfundoi të dy gradat, duke u bërë shumë konkurrues në tregun e punës amerikan.

Gjatë viteve ’90, Shqipëria kalonte periudha të vështira, por Qafoku aplikoi në rreth 900 vende në SHBA dhe u intervistua nga universitete prestigjioze, përfshirë Cornell, një universitet i Ivy League. Pas një post-doc-i njëvjeçar, iu ofrua një kontratë për karrierën e mëtejshme në laborator.

Qafoku u martua dhe së bashku me partneren u vendosën në Amerikë, ku lindën fëmijët e tyre.

Në laborator, të dy u rritën në hierarki, nga shkencëtar i kategorisë 2 deri në kategorinë 6, niveli më i lartë i mundshëm, të cilin e arrijnë vetëm 25-50 persona nga rreth 6,000 punonjës.

Ai rrëfen se vjen nga një familje intelektuale, ku të dy prindërit ishin të arsimuar dhe të pasionuar pas librave dhe kulturës. Në shtëpinë e tyre kishte një bibliotekë të pasur, ku fëmijët nisën të lexonin që të vegjël, duke krijuar një pasion të hershëm për dijen dhe librin.

Sot, Niko Qafoku është jo vetëm një nga 100 shkencëtarët më të mirë në SHBA, por edhe një shembull frymëzues i suksesit të shqiptarëve jashtë kufijve të vendit të tyre./dritare.net