Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shpirti i vogël/ Reportazh nga pavijoni i fëmijëve që luftojnë për jetën!

Shpirti i vogël/ Reportazh nga pavijoni i fëmijëve që

Rudina Xhunga hyn në pavijonin e onkohematologjisë dhe ndalon përballë një peme. Nuk është një pemë e zakonshme. Është pema e të mbijetuarve. Çdo emër i shkruar aty është një jetë që ka fituar. Një fëmijë që ka luftuar, që ka kaluar nëpër këtë pavijon, që ka parë errësirën dhe sot është dritë: është rritur, është bërë inxhinier, ekonomist, mjek, prind.

Pak më tej është këmbana e fitores. Ajo bie sa herë që ndodh një mrekulli. Sa herë që një fëmijë fiton një betejë, sa herë që një mjekim përfundon me sukses. Dhe sa më shpesh të bjerë kjo këmbanë, aq më mirë për të gjithë.

Një pavijon që jeton me shpresë

Godina u ndërtua në vitet ’80. Sot është transformuar, rikonstruktuar, por zemra e saj ka mbetur gjithmonë e njëjtë: shërbimi i hematologjisë dhe onkologjisë pediatrike. Aty trajtohen fëmijët me tumore dhe sëmundje malinje të gjakut, por edhe ata me sëmundje beninje, me anemi, çrregullime të gjakut apo patologji kronike.

Është një vend ku dhimbja jeton krah për krah me forcën, dhe ku shpresa nuk shuhet kurrë.

Një pavijon që bëhet shtëpi

Në një cep është dhoma-kuzhinë. Sepse në një pavijon pediatrik, ku nënat rrinë me muaj, nuk mund të mungojë kuzhina. Fëmijët që trajtohen me kortizon kanë shpesh oreks të paparashikueshëm, kërkojnë ushqim natën, zgjojnë më shpesh. Dhe doktoreshe Dona përpiqet t’ua bëje këtë vend sa më të ngjashëm me shtëpinë.

Çdo dhomë është teke, me një divan-poltron për nënat që rrinë pranë fëmijës edhe gjashtë muaj rresht. Në banjo, në televizor, në një abonim Digitalb apo Vodafone – gjithçka që të ndihesh si në shtëpi, edhe kur nuk je.

Në një krah të pavijonit është hapësira e mbrojtur, dikur e menduar për transplantin e palcës së kockës, sot e kthyer në kujdes intensiv. Është vendi ku shkojnë fëmijët që rëndohen nga mjekimi, ata që duhen mbrojtur më shumë se te tjeret. Vizitat këtu lejohen vetëm nga familjarët, dhe oraret janë të rregulluara rreptësisht.

Shpresa dhe lotë të fshehura

“Si e kaluat? Si është gjendja e djalit?”- pyet doktoreshe Dona, nenen. “Më mirë,” thotë ajo, duke mbajtur frymën mes frikës dhe besimit. Pacienti është shqiptar por me pasaporte gjermane. Kishte ardhur për një vizitë dhe pati komplikacion. Tani pret të kthehet në shtëpi.

Në këtë pavijon, mjekët dhe infermierët janë të fortë, por jo të pathyeshëm. “Edhe ne qajmë, – thote Dona, por jo para fëmijëve dhe nënave. Lotët i ndajmë me njëri-tjetrin, prapa mureve të dhomave.” Dhe është e vërtetë që këtu, më shumë se kudo tjetër, nënat janë heroinat e vërteta. Ato rrinë zgjuar net pa gjumë, ushqejnë, kujdesen, mbajnë frymën gjallë. Janë shtylla të pavërejtura që e mbajnë botën e fëmijës, edhe kur gjithçka tjetër duket e thyer.

Kujdes me dashuri, jo vetëm me ilaçe

Përveç mjekimeve, ka një terapi tjetër po aq të rëndësishme: terapia e lojës dhe e artit. Dhoma ku vizatohet, ku fëmijët prekin kitarën, hapin një libër, shohin ngjyrat e jetës. Librat janë dhurata. Dhe kur një fëmijë dashurohet me një libër dhe e merr me vete në shtëpi, kjo është një fitore tjetër.

Në një mur tjetër shihen kartolina e dhurata nga spitale europiane. Veçanërisht nga “Princess Maxima Center” në Utrecht, Holandë, ku çdo muaj bëhen konsulta online me stafin shqiptar për rastet më të vështira. Sepse këtu, edhe pse mungon shumëçka, nuk mungon kurrë përkushtimi.

Historia dhe mirënjohja

Në muzeun që të gjithë e quajnë Muzeu i Doktoreshe Danës pasqyrohet historia e pavijonit që nga viti 1938. Janë fotografi të mjekëve pionierë, të atyre që hodhën themelet e hematologjisë në vitet ’50, e të atyre që hapën shërbimin e tumoreve në vitin 1997. Në murin e mirënjohjes shkruhen emrat e të gjithë atyre që kanë ndihmuar, nga miqtë tek donatorët.

Sepse ky pavijon nuk mbahet vetëm me ilaçe, por me dashuri, solidaritet dhe kontribut. Një dhuratë, një libër, një buzëqeshje çdo gjë ka peshën e vet.

Mesazhi i pavijonit

Këtu kuptoj se kur sëmuret një fëmijë, nuk sëmuret vetëm ai. Vuan gjithë familja, të afërmit, madje dhe shokët e klasës. Por këtu kupton edhe diçka tjetër: që kanceri pediatrik nuk është një dënim i pashmangshëm. Shumica e fëmijëve shërohen.

Në botë, mbijetesa kalon 80%. Në vendet e varfra është ende 30%. Synimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që deri në 2030 kjo shifër globale të arrijë 60%. Dhe Shqipëria është pjesë e kësaj rruge.

Stafi në këtë pavijon është i vogël vetëm katër mjekë dhe një grup infermierësh që punojnë me zemër, duke sakrifikuar shpesh edhe familjet e tyre. Por buzëqeshja nuk mungon. Sepse gëzimi më i madh është kur pas shumë vitesh një ish-pacient kthehet, të falënderon dhe thotë:
“Shikoni, dikur kam qenë pacienti juaj. Sot jam prind.”

Dhe kjo është këmbana e vërtetë e fitores.

Doktoreshe Dona

Ajo është Donjeta Bali (Alia). Është pediatre onkohematologe. Është zëri kumbues i atij pavijoni plot ngjyra të gëzuara dhe trishtim. Është ajo që ka merak të tregojë për stafin, sepse “unë nuk bëj dot gjë, thotë, pa ata që më mësuan, pa ata që po mësoj. Është fytyra e një pavijoni xixë nga pastërtia, ku hapet çdo derë e xhirohet live, sepse nuk ke çfarë fsheh. Atje vetëm ora nuk punon, sepse ora nuk duhet, kur nuk ka turne. Kur një fëmijë lëngon, shuhet, apo shërohet, askush nuk ikën në shtëpi. Janë bashkë në të mirë e në të keq.

Kur doktoreshë Donën e propozuan papritur të drejtojë QSUNT, “uau”, të gjithë pavijoni u mërzitën. Pa të qe e vështirë. Të punosh mes fëmijësh që në një çast luajnë me tullumbace e çastin tjetër nuk janë më, do zemër, do forcë, do sytë gjithë lot të doktoreshë Donës dhe zërin që mbush korridoret me besim se kanceri pediatrik nuk është i pashërueshëm. I dilet, me mjekim dhe besim. Ndaj e donin në krye të pavijonit më të vështirë, të pediatrisë, ku pakkush do të shkonte të punonte. Fëmijët atje luftojnë për jetën. Specializohuni t’i ndihmoni t’ia dalin. Mos i lini vetëm!/ dritare.net