Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pezullohet transporti publik në kryeqytet dhe Kamëz, mbyllen bankat e bizneset

Pezullohet transporti publik në kryeqytet dhe Kamëz, mbyllen bankat e

Pasojat e protestave të dhunshme në kryeqytet po ndihen gjithnjë e më shumë në jetën e qytetarëve dhe aktivitetin ekonomik. Transporti publik në Tiranë dhe Kamëz është pezulluar deri në normalizimin e situatës, pasi disa autobusë janë dëmtuar nga protestuesit, të cilët kanë thyer xhamat e mjeteve.

Ndërkohë, disa banka kanë njoftuar mbylljen e degëve të tyre në zonën e qendrës së Tiranës dhe në zona të tjera, për shkak të sulmeve ndaj institucioneve financiare. Njoftimet për klientët janë publikuar përmes rrjeteve sociale.

Dëme të shumta në biznese, mbyllen qendra tregtare

Pasojat e dhunës janë ndier edhe në sektorin privat. Sipas raportimeve, biznese të ndryshme janë dëmtuar gjatë tri ditëve të protestave, me raste të shkatërrimit, djegies dhe vjedhjes së pronës.

Për arsye sigurie, disa qendra të mëdha tregtare kanë mbyllur dyert, ndërsa edhe Kalaja e Tiranës, një nga destinacionet e vizituara të kryeqytetit, ka qëndruar e mbyllur këtë të enjte.

Dhoma e Tregtisë kërkon masa urgjente

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë thirrje për distancim nga dhuna dhe për marrjen e masave konkrete nga policia për mbrojtjen e bizneseve.

Në deklaratën e saj, Dhoma kërkon prani të përshtatshme policore në zonat e rrezikuara, ndërhyrje në kohë dhe identifikimin e autorëve të akteve të dhunës, në mënyrë që secili të mbajë përgjegjësi individuale sipas ligjit.

Gjithashtu, kërkohet dokumentimi i plotë i dëmeve dhe komunikim i drejtpërdrejtë mes autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të lehtësuar denoncimet dhe procedurat ligjore.

Përfaqësuesit e biznesit kanë paralajmëruar për pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.