Ambasada Britanike reagon për protestën në Tiranë: E drejta për protestë nuk justifikon dhunën
Dritare.net

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën në kryeqytet, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën për tubim paqësor dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se liria e shprehjes dhe e drejta për protestë janë të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por nuk mund të përdoren për të justifikuar dhunën apo dëmtimin e pronës publike dhe private.

Njëkohësisht, Ambasada Britanike nënvizon se edhe veprimet e Policisë duhet të jenë proporcionale, duke kërkuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
“Ambasada Britanike u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve”, thuhet në reagim.
Apeli vjen në një kohë kur protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe incidente, ndërsa kërkohet shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.