
Plazhi publik, çfarë duhet të dini për këtë sezon!
Dritare.net
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka theksuar rëndësinë e respektimit të hapësirës publike në vijën bregdetare gjatë sezonit turistik. Në një deklaratë të dhënë së fundmi, Kumbaro njoftoi se në të gjitha plazhet, përfshirë edhe ato që menaxhohen nga subjekte private, do të garantohet një distancë prej 7-8 metrash nga deti, e cila do të jetë e lirë dhe e hapur për të gjithë qytetarët.
“Edhe në plazhet e menaxhuara nga subjektet private duhet të respektohet një distancë rreth 7-8 metra nga deti, për qytetarët që dëshirojnë të qëndrojnë buzë detit”, u shpreh Kumbaro, duke e cilësuar këtë masë si një garanci për akses të barabartë në hapësirat publike bregdetare.
Ministrja theksoi gjithashtu se sfidë mbetet pastrimi i plazheve dhe mbrojtja e hapësirave publike nga zaptimi i paligjshëm. “Toleranca është zero për zaptimin e plazheve publike dhe Policia e Shtetit do të jetë në krahun tonë për të garantuar rendin dhe respektimin e ligjit”, u shpreh ajo.
Sipas Kumbaros, rregullorja e re u jep mundësinë subjekteve me struktura akomoduese që të marrin në menaxhim parcela plazhi, duke e konsideruar këtë si një vlerë të shtuar për turizmin dhe bizneset lokale. Megjithatë, ajo theksoi se do të ruhet një ekuilibër i domosdoshëm mes zonave të menaxhuara dhe plazheve të hapura publike.
Vija bregdetare e Kavajës dhe Durrësit, ndër më të frekuentuarat në vend, do të jenë në fokus të veçantë për zbatimin e këtyre masave, me qëllim që pushuesit vendas, vizitorët nga Kosova dhe turistët e huaj të kenë përvojë të sigurt dhe të barabartë gjatë pushimeve./L.F-dritare.net

















