Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Teherani kushtëzon bisedimet: Diplomaci vetëm pasi të ndalen sulmet

Teherani kushtëzon bisedimet: Diplomaci vetëm pasi të ndalen

Irani ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar zgjidhje diplomatike në krizën e vazhdueshme rajonale, por vetëm pasi të ndalen veprimet agresive ndaj tij. Deklarata u bë nga Ministri i Jashtëm iranian pas takimeve që zhvilloi me homologë të tij evropianë.


“Ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë rrugën e diplomacisë, sapo agresioni të ndalet,” u shpreh ministri iranian, pa specifikuar se cilat veprime ose shtete i konsideron si agresorë në këtë fazë.

Komentet e tij vijnë pas një raundi bisedimesh me ministrat e jashtëm të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, të cilët nga ana e tyre kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut mbi programin bërthamor të Iranit. Sipas burimeve diplomatike, vendet evropiane janë të shqetësuara për përshkallëzimin e tensioneve dhe po kërkojnë një rrugë paqësore për të adresuar çështjet bërthamore dhe të sigurisë në rajon.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Këtë pasdite, Izraeli është goditur nga një tjetër valë sulmesh me raketa të lëshuara nga Irani, në vazhdën e përplasjes së drejtpërdrejtë mes dy shteteve, që prej javësh ka marrë përmasa të rrezikshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve./K.C/dritare.net