Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Gonxhja: Ju tregoj projektet për Vlorën turistike!

Ministri Gonxhja: Ju tregoj projektet për Vlorën turistike!

Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të sektorit turistik, zhvilluan një takim në Vlorë në prag të sezonit veror për të diskutuar prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues të turizmit. Në fokus të diskutimeve ishin zgjatja e sezonit turistik përtej muajve të verës, diversifikimi i ofertës në qytetin bregdetar, si dhe përmirësimi i transportit urban. Një rëndësi e veçantë iu kushtua investimeve strategjike në portet turistike, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve për jahtet dhe zhvillimin e turizmit detar.

"Së bashku me Kryeministrin Rama dhe operatorët turistikë, në prag të nisjes së sezonit turistik, diskutuam prioritetet për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më konkurrues të turizmit. Në fokus ishin zgjatja e sezonit turistik, diversifikimi i ofertës turistike në qytetin e Vlorës, përmirësimi i transportit urban dhe investimet strategjike në portet turistike, të cilat synojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve pritëse për jahtet dhe turizmin detar, por edhe kthimin e Vlorës në një qendër të rëndësishme të lëvizjes dhe shërbimeve nautike në rajon. Këto projekte, të kombinuara me rritjen e standardeve dhe koordinimin institucional, janë thelbësore për të forcuar ekonominë lokale dhe për ta shtrirë turizmin përtej sezonit veror.", shprehet Gonxhja./K.C/dritare.net