Zhani Ciko: Çfarë ndodhi me mua pas Festivalit të 11-të!
Dritare.net

Kompozitori dhe dirigjenti i njohur Zhani Ciko rrëfeu në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV përjetimet e tij gjatë Festivalit të 11-të në RTSH, presionet politike të kohës dhe pasojat që pasuan për artistët.
Ciko tregoi se pas festivalit nisën denoncime dhe diskutime të ashpra ndaj krijuesve dhe organizatorëve. Sipas tij, shumë artistë u akuzuan dhe situata u përshkallëzua deri në kontrolle dhe hetime të gjata.
“Diskutimet ishin shumë të egra. M’u bënë mbi 100 pyetje dhe seanca zgjati me orë të tëra. Dënimi mund të shkonte edhe në burg,” u shpreh Ciko, duke shtuar se ai shpëtoi pa u dënuar, por u dërgua për riedukim.
Ai kujtoi se Festivali i 11-të kishte për synim të sillte një frymë më moderne dhe tërheqëse për rininë, duke u ndikuar edhe nga programet muzikore italiane të kohës, por pa kopjuar modele të huaja. Megjithatë, suksesi i festivalit u pasua nga kritika të forta politike.
Ciko tregoi se situata ndryshoi pas reagimeve të udhëheqjes së kohës, përfshirë kritikat e ashpra të Enver Hoxha, të cilat çuan në ndëshkime për disa artistë dhe drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Ai shprehu keqardhje për kolegët që u dënuan, mes tyre edhe drejtues dhe artistë të njohur, duke theksuar se dënimet ishin të rënda dhe ndikuan thellë në jetën e tyre.
Në intervistë, Çiko foli edhe për përpjekjet e regjimit për ta afruar me Partinë, të cilat ai i refuzoi, duke mbajtur qëndrimin se arti nuk duhet të përzihet me politikën.
“Unë nuk u bëra kurrë partiak, sepse besoja se arti duhet të qëndrojë i lirë,” tha ai.
Rrëfimi i Çikos sjell një tjetër dëshmi për klimën e tensionuar që pasoi Festivalin e 11-të, një nga ngjarjet më të debatueshme në historinë e muzikës shqiptare gjatë periudhës komuniste./K.C/dritare.net