
Nga Ermal Barjami
Në luginat e historisë shqiptare, pushteti nuk ka ecur gjithmonë me ide, por shpesh me emër. Nuk ka ardhur nga libri, por nga burri. Nuk është ndërtuar mbi shtet, por mbi besë. E në këtë tokë ku mali flet më fort se ligji, bajraktari u bë jo thjesht prijës, por vetë sistemi.
Ai që kishte armë dhe nder, që dinte të martonte e të ndante gjak, ai ishte ligj më vete. Dhe kjo formë e trashëguar autoriteti, e ruajtur përmes fisit, burrërisë dhe territorit, nuk u zhduk me ardhjen e shtetit modern thjesht ndërroi kostum.
Kur kombi ishte ide, por bajraku ishte tokë
Në vitin 1912, kur historia ftoi shqiptarët të bëheshin komb, nuk ishin bajraktarët ata që iu përgjigjën të parët. Sepse bajraku ishte tokë, nder, burrëri por jo ide. Pavarësinë e shpalli një burrë tjetër, i ardhur nga qytetet, nga librat, nga diplomacia. Ismail Qemali nuk kishte bajrak, por kishte vizion. Dhe kjo mjaftoi që shumë prej “të fortëve” ta shihnin me dyshim, si një njeri që sillte një Shqipëri më të madhe se vetja e tyre.
Nuk është rastësi që shumë bajraktarë nuk e përqafuan projektin e shtetit sepse shteti i dobësonte. I bënte të barabartë me të tjerët. Dhe në një kulturë ku emri është kapital dhe mbiemri është monedhë, barazia është rrezik.
Komunizmi ; një bajraktari i veshur me të kuqe
Me ardhjen e diktaturës, bajraktari u shpall armik. Por nuk u zhduk. Ai u fsheh pas petkut të sekretarit të partisë, komandantit të zonës, drejtorit të kooperativës. Emri ndërrohej, por logjika mbetej: pushteti lokal, mbi të gjithë; fjala ime, mbi ligjin; partia, si bajrak i ri.
Demokracia dhe rikthimi i bajraktari me celular
Me rënien e diktaturës, shqiptarët nuk ndërtuan menjëherë institucione por kërkuan prapë “njeriun që të rregullon punë”, “të fortin e krahinës”, “mikun në qeveri”. Bajraktari doli sërish në dritë, kësaj here me celular, me makinë të zezë, me logo partie. Ai nuk ishte më i veshur me tirq e pushkë, por me kostum e zyrë. Por njësoj si dikur, votat i kishte në xhep, njerëzit në dorë, dhe partinë në shpinë.
E djathta shqiptare në vend që të ndalonte këtë ringjallje, e përqafoi. Sepse ishte më e lehtë të sundosh me “të fortët” sesa të bindësh me ide. Më e lehtë të mbledhësh vota me frikë e patronazh sesa me platformë. Më e lehtë të ndash tortën, sesa të ndërtosh një tryezë të barabartë për të gjithë.
Kur flamuri është më i rëndë se flamurtari
E djathta, në thelb, është një strukturë që duhet të besojë në shtetin e vogël, individin e lirë, tregun e lirë, traditën dhe familjen. Por në Shqipëri, ajo shpesh është shndërruar në një panair bajraktarësh, ku flamuri është më i rëndë se flamurtari, dhe flamurtari nuk ka as program, as ide, for vetëm njerëz që i thonë
“të jemi gati”.
Në vend të një partie me ide, kemi një rrjet me kryetarë lokalë. Në vend të garës së lirë, kemi pakt heshtjeje mes klaneve. Në vend të përfaqësimit qytetar, kemi përfaqësimin krahinor. Në vend të mendimit të lirë, kemi një hierarki nënshtrimi, ku kush flet ndryshe, përjashtohet.
Ç’duhet bërë për të ndërtuar të djathtën, jo për ta trashëguar atë
Nëse e djathta shqiptare nuk çlirohet nga bajraktarizmi, nuk do të bëhet kurrë lëvizje kombëtare por do të mbetet shoqatë territoriale interesi, ku secili kërkon “zotësinë” e vet. Nëse nuk ndërtohet një vizion modern, një organizim ideor, një garë e brendshme e ndershme, një elitë e re qytetare, atëherë bajraktari do të vazhdojë të jetë mbreti i një rrethine por jo lideri i një kombi.
Nga Ismail Qemali, te qytetari i lirë
Ismail Qemali nuk e shpalli Shqipërinë me bajraktarë, sepse ata nuk donin shtet, donin vetëm zonë. E shpalli me mendje të hapura dhe duar të lira, me një akt që ishte më shumë ide sesa territor. Sot, e djathta shqiptare ka nevojë për një çast të dytë Vlore. Jo për të shpallur pavarësinë nga Perandoria, por për t’u çliruar nga hija e vet.
Sepse flamuri është i bukur, por nuk mjafton. Duhet dikush që di ta mbajë dhe di pse e mban./dritare.net