Rama zbulon marrëveshjen e Berishës për Rrugën e Arbrit: Ishte skandaloze
Dritare.net

Gjatë një takimi me socialistët e Qarkut Dibër në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për procesin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, duke rikujtuar prapaskenat e marrëveshjes së mëparshme të trashëguar nga qeveria e Sali Berishës. Rama tha se projekti fillimisht ishte parashikuar me një kosto të lartë dhe me kushte të pafavorshme për shtetin shqiptar, ndërsa theksoi se vendimi për ta prishur atë marrëveshje dhe për ta ndërtuar rrugën me fonde të brendshme ishte i domosdoshëm. Ai shtoi se rruga nuk është ndërtuar për përfitime politike, por për të lidhur Dibrën me pjesën tjetër të vendit dhe për të mbyllur një “boshllëk historik” në infrastrukturë.
"Kemi gjetur një marrëveshje në parim nga qeveria e mëparshme për Rrugën e Arbrit me një shtet tjetër, marrëveshje skandaloze për nga shtrenjtësia e veprës dhe nga interesat që duhet të paguanin shqiptarët, dhe plus rruga me pagesë. Kur e kam pyetur njërin që ishte në dijeni për firmosjen e marrëveshjes: “Si e firmosët? Ajo është një tmerr”, që ne u përpoqëm ta negocionim, derisa unë mora vendimin që do ta prishim marrëveshjen dhe do ta ndërtojmë vetë. Më tha: “Ja kemi thënë të tëra atij, por ai thoshte firmoseni se s’ka për t’u bërë kurrë, por për sa kohë kemi marrëveshjen, ua marrim votat prapë dibranëve".
Ne nuk e kemi bërë Rrugën e Arbrit për t’u marrë votat dibranëve. Ne e bëmë sepse mungesa e asaj rruge ishte boshllëku më i madh mes një shteti dhe një pjese të popullsisë së vet. Ne nuk mund ta linim të ndarë nga pjesa tjetër e popullit, aq më tepër një trevë si kjo që i ka dhënë kaq shumë jo vetëm historisë, por gjithë rrugës së vështirë të ngritjes dhe transformimit të Shqipërisë",- tha Rama./K.C/dritare.net