Pse Gjermania i vë gjithmonë stërkëmbësa Shqipërisë
Dritare.net

Nga Dritan Hila
Eduard Lutwak në librin e tij “Strategjia e madhe e Perandorisë Romake” shpjegon mënyrën e operimit të fuqive të mëdha në ruajtjen e kufijve të tyre.
Rrethi i parë është territori kombëtar. Pastaj vijnë shtetet e rëndësisë se veçantë për të cilët në rastin gjerman edhe mund të futesh në luftë dhe këto janë kryesisht shtete që ndan të njëjtën histori, kulturë dhe nganjëherë edhe gjuhë. Të tretët janë shtetet kushinetë. Këta janë të sakrifikueshëm. Në rast luftë shërbejnë për t’i dhënë kohë fuqisë së madhe që të përgatitet dhe ta përdorë territorin e tyre si shesh luftimi. Janë të sakrifikueshëm. Dhe këtu, me siguri sipas mendimit ushtarak gjerman, hyn Shqipëria, dhe më gjerë Greqia, Serbia, Rumania. Lutwak është këshilltar i Pentagonit dhe paguhet një milion dollarë në vit për të dhënë mend, dhe disa gjëra i di. Ai nuk hyn në hollësirat e Ballkanit, por nisur nga klasifikimi i tij, në brezin e interesit gjerman futen ato shtete të cilat plotësojnë karakteristikat e dyta, si Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia. Me Poloninë i ka raportet pak të acaruara sepse Stalini i hoqi komplet pjesën prusiane duke ia dhënë Polonisë, por si mish për top janë të përshtatshëm.
Gjermanët nuk kanë faj. Nëse shikon hartën fizike të Evropës, Gjermania shtrihet mbi një fushë që fillon në Paris dhe mbaron në Urale. Doktrina e saj ushtarake kërkon gjithmonë shtyrje të kufijve në këto zona, në mënyrë që të ketë gjithmonë një shtet kushinetë përpara se të futen në territorin gjerman. Ide në fakt edhe rusët të cilët po për këtë arsye po bëjnë luftën në Ukrainë. Kjo logjikë është për luftën, por siç ka thënë një gjerman që quhej Klauzewic, lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera, por ideja dhe qëllimi është i njëjtë. Sipas Basil Liddell Hart, strategjist dhe historian britanik, shumica e luftërave të njerëzimit janë zhvilluar pikërisht në këto territore pasi janë edhe më fertilet por edhe më të përshtatshme për teknikat e reja.
Të vijmë te Shqipëria. Pse gjithmonë gjermanët janë dorështrënguar me ne? Pse gjithmonë nëse nuk e thonë vetë, lëshojnë Holandën të nxjerrë yçkla për ne? Është shumë e thjeshtë: Nuk i interesojmë. Nuk duan në radhët e BE një vend të varfër që mund t’u marrë fonde. Ne ju interesojmë vetëm që të na marrin krahun e punës nëpërmjet gjoja kurseve të kualifikimit dhe të sponsorizojë OJF-të e luftës kundër komunizmit dhe krimeve të tij, pa kërkuar një herë falje pasi ishte ai pushtim gjerman që solli te ne një egërsim edhe të luftës civile dhe rrjedhimisht një komunizëm të ashpër. Pa përmendur këtu viktimat e atij pushtimi.
Fatkeqësia jonë është që sponsori dhe mbështetësi ynë historik, Italia, është një fuqi pothuajse e papërfillshme në politikën e jashtme. Atyre ende nuk u ka ikur frustrimi i rreshtimit me fuqitë e boshtit, dhe nuk kanë fuqi që të vendosin kushte për anëtarësimin tonë, në ndryshim nga Gjermania që shumë aleatë të saj historikë i futi në BE pavarësisht se niveli i tyre të plotësimit të standardeve ishte mizerabël.
I vetmi faktor që mund t’ia fuste këmbët në një këpucë Gjermanisë, janë SHBA-të, ashtu sikurse ia futën kur na anëtarësuan në NATO. Vetëm një investim amerikan mund të thyente kundërshtinë gjermane. Por fatkeqësisht amerikanët, të paktën administrata aktuale, nuk e honeps dot BE-në. Mbase kanë të drejtë.
Pavarësisht se Rama po bën akrobaci të pamundura që ta përshpejtojë anëtarësimin e vendit, duket se do ta ketë të vështirë, pasi tashmë vendi ynë është pjesë e skemave të pamëshirshme të realpolitikës. Si njerëz racionalë, gjermanët krijuan euron me të cilën po mbajnë Italinë me një rritëm zhvillimi tek 0.3% dhe Francën në vendnumëro, dhe kthyer veriun e saj në një shtojcë të industrisë gjermane. Fundja çfarë i duhen ca ballkanas që vetëm sherre sjellin. Dhe në fushën e hesapeve me njerëz që i duhen apo janë për t’u skarcuar, gjermanët kanë eksperienca të hershme, herë me furra e herë me veto./dritare.net