Na ndiqni edhe në

Bota

BE gjobit Temu me 200 milionë euro. Ja përse!

BE gjobit Temu me 200 milionë euro. Ja përse!

Bashkimi Evropian i ka vendosur një gjobë prej 200 milionë eurosh kompanisë kineze të shitjeve online Temu, pasi në platformën e saj u gjetën produkte të paligjshme dhe të rrezikshme për konsumatorët.

Sipas Komisionit Evropian, Temu “dështoi të identifikojë, analizojë dhe vlerësojë me kujdes rreziqet sistematike” që paraqesin këto produkte dhe dëmet që mund t’u shkaktojnë përdoruesve.

Hetimet ndaj kompanisë kishin nisur në tetor të vitit 2024, për të verifikuar nëse Temu po respektonte detyrimet e saj sipas ligjit evropian për platformat shumë të mëdha online.

Gjatë hetimit u realizua edhe një testim i fshehtë blerjesh nga një organizatë e pavarur. Rezultatet treguan se shumë karikues të blerë përmes Temu nuk kalonin testet bazë të sigurisë elektrike. Po ashtu, një pjesë e madhe e lodrave për foshnja rezultuan të rrezikshme, pasi përmbanin kimikate mbi limitet e lejuara ose pjesë të vogla që mund të shkaktonin mbytje te fëmijët.

Përveç gjobës, Temu duhet të paraqesë deri më 28 gusht një plan veprimi për të korrigjuar problemet e konstatuara. Komisioni Evropian do të ketë më pas dy muaj kohë për të vlerësuar nëse kompania ka përmbushur kërkesat.

Komisionerja evropiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se vendimi synon të dërgojë një “mesazh shumë të fortë” për kompaninë.

Nga ana tjetër, Temu reagoi duke thënë se nuk pajtohet me vendimin dhe e konsideron gjobën disproporcionale. Kompania shtoi se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore në dispozicion.

Kjo është vetëm gjoba e dytë e vendosur sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së. Rasti i parë ishte një penalizim prej 120 milionë eurosh ndaj rrjetit social X, në pronësi të Elon Musk./K.C/dritare.net