Statuja ra në anën e duhur: fundi i epokës Orbán dhe tërmeti politik në Evropë
Dritare.net

Nga Ardiana Faja*
Është një tërmet politik i jashtëzakonshëm ky që sapo tronditi Hungarinë: humbja e thellë e Viktor Orban, pas 16 viteve në pushtet, shënon fundin e një epoke politike të ndërtuar mbi atë që ai vetë e quajti «demokraci iliberale». Një model që shkeli qartazi normat e demokracisë liberale evropiane duke e vendosur Hungarinë në një përplasje të vazhdueshme me Bashkimin Evropian. Votat i dhanë një epërsi të qartë Péter Magyar, lider i Partisë së qendrës së djathtë Tisza, me shumë se 52% të votave, kundrejt 38,55% për Fidesz, partinë në pushtet të Orban. Dhe nuk bëhet fjalë për një fitore të ngushtë, por për sigurimin e dy të tretave të vendeve në Parlament, (të paktën 133 nga 199), pra shumicë vendimtare për të ndryshuar Kushtetutën hungareze duke çmontuar të gjitha mekanizmat që Orban kishte ngritur për të vendosur njerëzit e tij kudo dhe kontrolluar institucionet.
Një regjim iliberal i dobësuar nga vetvetja
Regjimet që e konsiderojnë veten të pathyeshme shpesh mbajnë brenda tyre farat e rënies. Rasti i Orbán nuk bën përjashtim. Korrupsioni i përhapur, i bërë gjithnjë e më i dukshëm, përfundoi duke irrituar edhe një pjesë të vetë elektoratit të tij. Ndërkohë, inflacioni galopant — ndër më të lartët në Evropën Qendrore mes viteve 2022 dhe 2024 — goditi rëndë fuqinë blerëse të familjeve hungareze: 40% e hungarezëve deklaronin se nuk i mbetej asgjë në fund të muajit.
Bllokimi i fondeve nga Bashkimi Evropian privoi vendin nga 18 miliardë euro investime, afërsisht 8% të Prodhimit Bruto, ndërsa propaganda e vazhdueshme dhe krijimi i armiqve të imagjinuar filluan të humbnin efektin. Dezinformimi, i përdorur për vite si mjet pushteti, arriti kufijtë e vet duke konsumuar edhe besnikët e regjimit.
Një kundërshtar që erdhi nga brenda
Në këtë klimë u shfaq Péter Magyar — një figurë që nuk vinte nga opozita tradicionale, por nga vetë zemra e sistemit. Ish-funksionar i lartë dhe pjesë e elitës së afërt me pushtetin, ai u shkëput në vitin 2024 duke denoncuar publikisht korrupsionin dhe abuzimet.
Kjo origjinë i dha atij një avantazh vendimtar: ai nuk mund të paraqitej lehtësisht si armik i jashtëm. Përkundrazi, ai fliste si dëshmitar i drejtpërdrejtë i mënyrës se si funksiononte regjimi.
Në vetëm pak muaj, ai e shndërroi partinë Tisza në një forcë politike të besueshme. Strategjia e tij ishte shumë e zgjuar: konservator në çështjet shoqërore, por i hapur dhe pro-evropian në planin ndërkombëtar. Ai nuk premtoi ta përmbyste hapësirën politike nga e majta në të djathtë, por synoi rikthimin e saj në normalitetin demokratik. Kështu, ai arriti të tërheqë një pjesë të elektoratit të zhgënjyer të Fidesz-it pa trembur votuesit e moderuar.
Një mobilizim që përmbysi pritshmëritë
Zgjedhjet e 12 prillit 2026 u karakterizuan nga një pjesëmarrje rekord prej 77,8%. Një shifër që përgënjeshtron idenë se shoqëria hungareze ishte bërë apatike. Përkundrazi, votuesit u mobilizuan masivisht për të shprehur një dëshirë të qartë për ndryshim.
Deri në momentin e fundit, mbeteshin dyshime serioze mbi integritetin e procesit. Sistemi zgjedhor ishte reformuar ndër vite për të favorizuar Fidesz-in: zonat elektorale ishin formatuar për të favorizuar zonat rurale besnike ndaj pushtetit, mediat kryesore ishin nën ndikim, ndërsa burimet shtetërore përdoreshin për propagandë.
Gjatë fushatës, u përdorën edhe teknika të reja dezinformimi në përmasa industriale, përfshirë video të gjeneruara me inteligjencë artificiale që përpiqeshin të frikësonin votuesit me skenarë ekstremë të gjeneruara nga inteligjenca artificiale ku paraqiteshin burra hungarezë të mobilizuar me forcë dhe të dërguar në Ukrainë, ku i priste vdekja e sigurt, nëse fitonte Magyar.
Vëzhguesit ndërkombëtarë ishin të pranishëm, por kapaciteti i tyre për të ndikuar mbetej i kufizuar përballë një sistemi ku abuzimi ishte i shkruar në ligj, jo vetëm në praktika të fshehta. Pikërisht për këtë arsye, sondazhet që tregonin epërsinë e Peter Magyar mbi 50% të votave u lexuan me kujdes dhe mosbesim.
Megjithatë, këto strategji të Orbanit prodhuan efekt të kundërt. Ai u mposht në terrenin e tij me rregullat e tij.
Pasojat për Evropën dhe më gjerë
Rënia e Orbán nuk është vetëm një ngjarje kombëtare. Për Bashkimin Evropian, ajo përfaqëson një lehtësim të madh. Orbani ishte kthyer në një makth të Brukselit dhe aleati më i afërt i Putinit në Evropë. Hungaria kishte qenë një pengesë e vazhdueshme, veçanërisht në lidhje me ndihmën për Ukrainën, duke bllokuar sistematikisht ndihmën prej 90 miliardë euros të Bashkimit Evropian për Ukrainën. Magyar ka premtuar të «pajtojë» Budapestin me institucionet evropiane, një perspektivë që mirëpritet nga Parisi dhe Berlini.
Në të njëjtën kohë, ky ndryshim pritet të çlirojë miliarda euro fonde evropiane të ngrira për Hungarinë, duke hapur një kapitull të ri ekonomik për vendin. Shbllokimi i këtyre fondeve të BE ishte një nga elementët kryesorë të fushatës së Peter Magyar.
Por ndikimi më i thellë është ai politik. Orbani ishte një figurë kyçe në përpjekjet për të afruar të djathtën konservatore me të djathtën ekstreme në Parlamentin Evropian. Partia e tij është pjesë e grupimeve nacionaliste, ku figura si ajo e francezit të ekstremit të djathtë Jordan Bardella, luajnë rol të rëndësishëm. Humbja e Orbanit dobëson influencën konservatore, kundër emigracion, pro–Putin, në institucionet evropiane dhe dërgon një sinjal të fortë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme në disa vende të BE.
Përtej Evropës, rënia e këtij lideri autoritar përbën një goditje të fortë për aleatët e tij populistë në mbarë botën, duke përçuar një valë tronditje ideologjike deri në Shtëpinë e Bardhë, ku modeli i tij i qeverisjes shihej si shembull nga Trump dhe administrata e tij. Steve Banon në 2018 kishte pohuar se «Orban ishte Trump-i përpara Trump».
Një mësim politik
Orbán kishte ndërtuar një sistem që dukej i pathyeshëm: një përzierje kontrolli institucional, propagande dhe manipulimi elektoral. Për shumë vite, ai shërbeu si provë se një regjim “iliberal” mund të mbijetonte brenda formës së një demokracie.
Por zgjedhjet e fundit treguan të kundërtën. Korrupsioni, lodhja shoqërore dhe presioni ekonomik krijuan një pikë kthese. Kur erdhi momenti, vota e qytetarëve e rrëzoi sistemin.
Mësimi është i qartë: iliberalizmi nuk i zhduk kontradiktat — ai vetëm i shtyn ato. Dhe një ditë, ato shpërthejnë.
Pas 16 vitesh, një regjim ra. Jo pavarësisht demokracisë, por falë saj.
Statuja ra në anën e duhur./dritare.net
*Ardiana FAJA, Lektore e gjeopolitikës në Akademinë e Grwnobles, zëvendës presidente e House of Europe Lyon /Valence, konferienciere për Evropën e akredituar nga Komisioni Evropian