
Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, ka nisur një sulm të fortë dhe të pazakontë ndaj Papa Leo, pas kritikave të këtij të fundit ndaj politikave amerikane për emigracionin dhe luftën në Irani.
Në një postim në Truth Social, Trump e akuzoi Papën se është “i dobët ndaj krimit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme”, duke shtuar më vonë para gazetarëve se “nuk është një fans i madh i tij”.
Nga ana tjetër, Papa Leo ka qenë një kritik i hapur i luftës dhe tensioneve në Lindjen e Mesme. Ai e cilësoi si “të papranueshëm” kërcënimin e Trump për shkatërrimin e qytetërimit iranian dhe i bëri thirrje për gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit.
Kritikat e drejtpërdrejta të një pape ndaj liderëve botërorë janë të rralla, çka e bën këtë përplasje edhe më të pazakontë.
Komentet e Trump erdhën ndërsa Papa nisi një vizitë 11-ditore në Afrikë, udhëtimi i tij i dytë i madh jashtë vendit që nga zgjedhja në krye të Kishës Katolike.
Presidenti amerikan shkroi gjithashtu se Papa “duhet të marrë masa” dhe e cilësoi atë “të dobët për çështjet bërthamore”, duke iu referuar tensioneve me Iranin. Madje, Trump sugjeroi se zgjedhja e Papës mund të ketë pasur lidhje me faktin që ai është amerikan.
“Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leo nuk do të ishte në Vatikan”, deklaroi ai.
Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagime të menjëhershme, veçanërisht në qarqet katolike. Studiuesi Massimo Faggioli i krahasoi këto sulme me periudha historike të errëta, duke theksuar se edhe liderë si Hitleri apo Musolini nuk e kishin sulmuar Papën në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë.
Papa Leo, në disa dalje publike, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve globale dhe për paqe. Në fjalimin e Pashkëve ai u shpreh:
“Ata që kanë armë le t’i ulin ato. Ata që kanë fuqinë për të nisur luftëra le të zgjedhin paqen”.
Ai ka kritikuar gjithashtu politikat e ashpra të emigracionit të administratës Trump, duke i cilësuar si trajtim çnjerëzor ndaj emigrantëve.
Papa Leo shihet si vijim i linjës humanitare të paraardhësit të tij, Papa Françesku, i cili gjatë fushatës së vitit 2016 kishte deklaruar se Trump “nuk ishte i krishterë” për shkak të retorikës së tij ndaj emigrantëve./BBC