Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në vendin e mrekullive! Dëshmitë nga Kisha e Shna Ndout në Laç që të lënë pa fjalë!

Në vendin e mrekullive! Dëshmitë nga Kisha e Shna Ndout në

Çdo të martë, qindra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare ngjiten drejt Kisha e Shna Ndout në Laç. Veçanërisht gjatë 13 të marteve, ky vend shndërrohet në një pikë pelegrinazhi, ku njerëzit vijnë me lutje, shpresë dhe besim. Reportazhi i DritareTV sjell atmosferën e këtij pelegrinazhi, ku besimtarë të moshave dhe besimeve të ndryshme ndezin qirinj dhe luten për familjen, shëndetin dhe të ardhmen.

“Vij çdo vit këtu, sjell njerëz sepse punoj me fugon. Kanë ardhur njerëz me halle dhe janë kthyer me shpresë. Është një vend që të jep qetësi shpirtërore dhe besim,” shprehet një qytetar i pranishëm në pelegrinazh.

Ndërkohë, prifti françeskan Landi Jaku shpjegon traditën e 13 të marteve dhe rëndësinë e saj për besimtarët:

“Gjatë 13 të marteve, besimtarët vijnë rregullisht për t’u lutur. Kush nuk ka mundësi t’i bëjë të gjitha, i redukton në tri të marta, sepse jo të gjithë kanë kohë. Shumë prej besimtarëve vijnë edhe pas pune për të marrë pjesë në këtë përshpirtni,” shprehet ai.

Sipas tij, tradita e 13 të marteve lidhet me Shën Antoni i Padovës, i cili ndërroi jetë më 13 qershor 1231.

“13 martat janë një përshpirtni që ka lindur menjëherë pas vdekjes së Shën Antonit të Padovës. Ai ka qenë i njohur për jetën e tij të shenjtë dhe për mrekullitë, si gjatë jetës ashtu edhe pas vdekjes. Për këtë arsye, besimtarët janë drejtuar gjithmonë tek ai për ndihmë shpirtërore dhe fizike,” shpjegon prifti.

Ai thekson gjithashtu se, edhe pse Shën Antoni i Padovës nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë, devocioni ndaj tij është shumë i fortë.

“Shën Antoni nuk ka ardhur fizikisht në Shqipëri. Ai ishte nga Portugalia, nga Lisbona, dhe më pas jetoi në Itali, në Padova. Por besimtarët shqiptarë kanë një devocion të madh ndaj tij,” thotë ai.

Prifti françeskan ndan edhe histori që besimtarët i konsiderojnë si mrekulli:

“Kam njohur një vajzë që kishte probleme të rënda psikologjike. Familjarët e sollën këtu dhe u lutën. Sot ajo është mirë dhe ka rifituar jetën e saj normale. Ka shumë histori të tilla që tregohen nga besimtarët.”

Sipas tij, elementi kryesor i këtyre përvojave mbetet besimi.

“Ajo që bën mrekullinë është feja dhe besimi në Zot. Nuk është vendi në vetvete, por besimi që njerëzit sjellin me vete,” thekson prifti.

Reportazhi i DritareTV sjell edhe historinë e vështirë të kishës gjatë komunizmit, kur objekti fetar u shkatërrua me dinamit, por më pas u ringrit pas viteve ’90, duke u kthyer sërish në një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në vend. Sot, Kisha e Shna Ndout vazhdon të mbetet një simbol i besimit dhe shpresës për mijëra besimtarë, që çdo vit ngjiten drejt saj me lutje dhe besim./K.C/dritare.net