OKB evakuon mbi 11 mijë marinarë nga Ngushtica e Hormuzit, Rubio paralajmëron Iranin
Dritare.net

Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), agjenci e Kombeve të Bashkuara, ka njoftuar se do të nisë një operacion të gjerë për evakuimin e mbi 11 mijë marinarëve që kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik pas konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, bëri të ditur se operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me Iranin, Omanin, SHBA-në, shtetet bregdetare të rajonit dhe industrinë detare, pasi janë siguruar garancitë e nevojshme për lundrim të sigurt.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, paralajmëroi se asnjë shtet nuk ka të drejtë të vendosë tarifa për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, duke iu përgjigjur përpjekjeve të Iranit për të tarifuar anijet që kalojnë në këtë rrugë ujore strategjike.
"Është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare nuk lejon vendosjen e tarifave apo pagesave për kalimin e saj", deklaroi Rubio.
Pas marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, Ngushtica e Hormuzit është rihapur pjesërisht për qarkullimin detar. Megjithatë, trafiku mbetet nën nivelet normale, ndërsa qindra anije cisternë vijojnë të presin lejen për të kaluar në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë./dritare.net