Laver Bariu, ustai i gërnetës që nuk i këndoi kurrë Enver Hoxhës! Flet Vasil Tole!
Dritare.net

I ftuar në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku, Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, solli detaje të panjohura nga jeta dhe karriera e mjeshtrit të madh të gërnetës, Laver Bariu. Gjatë bisedës, Tole u ndal te rrugëtimi artistik i klarinetistit legjendar, marrëdhënia e tij me pushtetin komunist, korrespondenca me Enver Hoxhën, si dhe te fakti se, ndonëse ishte një nga artistët më të vlerësuar të kohës, ai nuk i kushtoi kurrë një këngë udhëheqësit komunist.
Sipas Toles, pasioni i Laver Bariut për muzikën nisi që në moshë të vogël. Ai tregoi një episod të veçantë nga fëmijëria e artistit, kur dëshira për të pasur një klarinetë ishte aq e madhe, sa i vuri të atit një kusht.
“O më bli klarinetën, o do hidhem në lumë”, tregoi Tole, duke rrëfyer vendosmërinë e jashtëzakonshme të djaloshit që më vonë do të kthehej në simbol të muzikës së Jugut.
Gjatë intervistës, akademiku u ndal edhe te historia e Gurit të Përmetit dhe lidhja e fortë që Laver Bariu kishte me qytetin e tij. Përmeti, sipas Toles, nuk ishte vetëm vendlindja e artistit, por edhe burimi i frymëzimit që formësoi stilin e tij unik muzikor.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua marrëdhënies së Laver Bariut me regjimin komunist. Tole tregoi se artisti ishte i njohur dhe i vlerësuar në nivelin më të lartë shtetëror, por pavarësisht kësaj, ai nuk u bë kurrë pjesë e kultit të individit.
“Laver Bariu nuk i këndoi kurrë Enver Hoxhës”, theksoi Tole, duke e veçuar këtë fakt nga shumë artistë të tjerë të kohës. Në emision u shfaqën edhe letra të rralla që Laver Bariu kishte shkëmbyer me Enver Hoxhën. Dokumentet tregojnë kërkesat që artisti i drejtonte udhëheqësit komunist, por edhe mënyrën se si këto kërkesa merrnin përgjigje.
“Laver Bariu nuk ishte thjesht një muzikant i madh. Ai ishte një institucion i muzikës shqiptare”, u shpreh Tole./dritare.net