Protestuesit publikojnë paketën e kërkesave për qeverinë
Dritare.net

Me thirrje kundër qeverisë dhe slogane si "Rama n'burg, Berisha n'burg", protesta jopartiake në Tiranë ka hyrë në ditën e 23-të. Qytetarët, të mbledhur fillimisht para Kryeministrisë e më pas në sheshin "Skënderbej", shpallën një paketë kërkesash që përfshin dorëheqjen e qeverisë, ngritjen e një qeverie teknike dhe reforma të thella politike e kushtetuese.
Kërkesat:
-Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
-Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
-Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
-Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
-Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
-Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, kërkojmë:
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”./K.C/dritare.net