Nga "Pranvera Arabe" te kostot ekonomike: Protestat dhe rreziku i destabilizimit në Shqipëri
Dritare.net

Shqipëria po kalon një moment të tensionuar politik dhe social, ndërsa protestat popullore në kryeqytet kanë hyrë në ditën e tyre të 23-të pa një zgjidhje të qartë në horizont.
Në një intervistë për emisionin "Intervista e Ditës" në Dritare Televizion, analisti politik Klevi Elezi ka bërë një skanim të detajuar të anatomisë së kësaj lëvizjeje, duke ngritur shqetësime serioze mbi drejtimin që ajo po merr, ndikimet e mundshme të jashtme dhe dëmet afatgjata në ekonominë e vendit. Sipas Elezit, protesta nisi si një reagim spontan qytetar pas një incidenti në jug të vendit, por rrugës ka filluar të shfaqë simptoma shqetësuese të devijimit nga kauza e saj origjinale. Ai paralajmëron se lëvizja ka ngjashmëri me fillimet e Pranverës Arabe, e cila, pavarësisht synimeve fisnike në fillim, solli destabilizim të thellë në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.
Në analizën e tij, Elezi thekson se ngjarjet e fundit në Shqipëri po ndjekin një model të njohur nga revoltat globale të vitit 2010-2011. Në atë kohë, akti i vetëflijimit të një shitësi ambulant në Tunizi, i cili i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj korrupsionit dhe mungesës së perspektivës, shërbeu si shkëndijë për të rrëzuar qeveri të tëra. Kjo metodologji, ku një incident i izoluar shndërrohet në një katalizator për një zemërim masiv popullor të organizuar përmes rrjeteve sociale, është e pranishme sot në rrugët e Tiranës. Shqetësimi më i madh, thekson analisti, është pranimi publik nga vetë disa prej organizatorëve se në mesin e protestuesve janë infiltruar grupe dhe instrumente të huaja antishqiptare, qëllimi i të cilëve nuk është përmirësimi i qeverisjes, por destabilizimi i plotë i vendit.
Një nga dobësitë më të mëdha të protestës aktuale është mungesa e një lidershipi të qartë dhe e një programi politik koherent. Thirrjet radikale si "Rama Burg, Berisha Burg" reflektojnë një lodhje të thellë të qytetarëve me tranzicionin dhe atë që Elezi e quan një "demokraci hibride". Megjithatë, siç tregon historia evropiane, zemërimi, sado i përligjur, nuk mjafton për të qeverisur. Duke iu referuar Lëvizjes 5 Yjet në Itali dhe partisë Syriza në Greqi, analisti shpjegon se revoltat popullore shpesh dështojnë kur përballen me realitetin e administrimit të shtetit. Është e lehtë të bashkosh njerëz me ideologji të ndryshme kundër një armiku të përbashkët siç është qeveria, por kalimi nga sheshi i protestës në karriget e qeverisjes është jashtëzakonisht i vështirë./dritare.net