Na ndiqni edhe në

Bota

SHBA dhe Irani nisin bisedimet në Zvicër, Teherani njofton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit

Bisedimet direkte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nisin në Zvicër, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten. Teherani ka deklaruar se ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, duke e lidhur vendimin me sulmet izraelite në jug të Libanit dhe me pretendimin për shkelje të marrëveshjes së arritur me SHBA-në për përfundimin e luftës.

Megjithatë, ushtria amerikane ka kundërshtuar këtë deklaratë, duke bërë të ditur se “trafiku vazhdon të lëvizë” në këtë ngushticë strategjike për transportin global të naftës.

Në Zvicër ka mbërritur zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, ndërsa raundi i ri i negociatave pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme.

Nga pala iraniane kanë mbërritur ministri i Jashtëm Abbas Araghchi dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.

Në bisedime do të marrin pjesë edhe kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif dhe komandanti i ushtrisë pakistaneze Asim Munir. Pakistani ka luajtur rolin e ndërmjetësit gjatë konfliktit dhe ka organizuar edhe një raund të mëparshëm negociatash mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ministria e Jashtme e Pakistanit deklaroi se vendi do të vijojë të mbështesë zbatimin e mirëkuptimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara./K.C/dritare.net