
E shtuna solli një nga manifestimet më masive të protestës, që tashmë nuk mund të quhet më protestë për Zvërnecin. Nuk janë flamingot, është Shqipëria e re, slogani.
Edhe posterat finalë shprehin pikërisht këtë. Që nuk është Kushner, është elita financiare, politike dhe mediatike shqiptare ajo që po shënjohet.
Në poster shikon politikanë dhe gazetarë përtej së majtës dhe të djathtës.
Sepse në këtë protestë nuk po sulmohet vetëm qeveria. Në pankarta u vendosën bashkë qeveritarë, opozitarë, drejtues mediash dhe figura të njohura të jetës publike. Mesazhi është i qartë: për protestuesit, Shqipëria e re nuk ndërtohet as nga Rama, as nga Berisha, as nga elitat politike e mediatike që kanë dominuar tranzicionin. Ata shohin veten si brezin që duhet të zëvendësojë klasën e vjetër dhe të krijojë një elitë të re politike, ekonomike dhe shoqërore.
Dhe kjo është pyetja më e rëndësishme:
A është kjo një lëvizje që prodhon elitë të re, apo thjesht refuzon elitën ekzistuese?

Historia tregon se rrëzimi i elitave të vjetra është më i lehtë sesa ndërtimi i elitave të reja. Elita e re nuk krijohet vetëm nga zemërimi, por nga programi, organizimi, përgjegjësia dhe aftësia për të qeverisur. Pra jo vetëm: "Ikni ju". Por edhe: "Ja kush jemi ne që do t'ju zëvendësojmë!" / dritare.net