Shqipëria merr 302 milionë dollarë hua nga SHBA për forcimin e mbrojtjes. Ja vendimi!
Dritare.net

Qeveria shqiptare ka miratuar në parim një marrëveshje huaje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë 302 milionë dollarë, në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF). Fondi do të përdoret për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit përmes blerjes së mjeteve dhe pajisjeve ushtarake amerikane, sipas marrëveshjes së lidhur me Agjencinë e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA). Vendimi u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe hyn në fuqi menjëherë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
"MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS DIREKTE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA E BASHKËPUNIMIT PËR SIGURINË E MBROJTJES (DSCA), NË KUADËR TË FINANCIMIT TË JASHTËM USHTARAK (FMF)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302 000 000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi", thuhet në vendim./K.C/dritare.net