Na ndiqni edhe në

Kronikë

Gjendet në humnerë trupi i pajetë i Eglant Koçit


Policia e Shtetit ka gjetur trupin e pajetë të dyshuar të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili ishte zhdukur prej datës 4 qershor. Trupi u lokalizua nga dronët e policisë në një humnerë në fshatin Cerujë, në zonën mes Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa efektivët e Forcave Speciale RENEA po kryejnë zbritjen për identifikimin dhe nxjerrjen e tij.

Operacioni i kërkimit ishte përqendruar prej ditësh në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, pasi pikërisht në këtë zonë ishin regjistruar sinjalet e fundit të telefonit të 41-vjeçarit Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i ngjarjes. Në operacion morën pjesë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, në mbështetje të autoriteteve shqiptare.

Sipas hetimeve paraprake, Koçi dyshohet se u mor me forcë nga zyra e tij në Tiranë më 4 qershor, ku mendohet se është ekzekutuar. Më pas, trupi dyshohet se është transportuar me automjetin e Shakajt, i cili ishte vendosur mbi një karrotrec, në një përpjekje për të humbur gjurmët.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se 41-vjeçari kishte ndërruar të paktën gjashtë herë numrin e telefonit celular, për t'iu shmangur lokalizimit nga autoritetet.

Pista kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt mes dy të rinjve për investime në kriptovaluta dhe para të dhëna me fajde. Megjithatë, motivi dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve.

Autoritetet pritet të konfirmojnë zyrtarisht identitetin e viktimës pas përfundimit të procedurave në vendngjarje dhe ekspertizës mjeko-ligjore./K.C/dritare.net