Berisha pranon lobimin për heqjen e ndalimit të udhëtimit në SHBA: Është paguar nga një fondacion që ndihmon PD
Dritare.net

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar se është zhvilluar një proces lobimi për heqjen e ndalimit të udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dhe familjarët e tij.
Berisha tha se nuk ka zhvilluar negociata me persona të veçantë dhe se procedura është kryer përmes lobimit. Ai deklaroi gjithashtu se nuk ka lobuar me administratën e presidentit amerikan Joe Biden.
“Nuk kam zhvilluar negociatë me asnjë person. Ka një kod, po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. A kanë lobuar për Berishën? Po kanë lobuar. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden, s’kam bërë asnjë lobim me administratën e Biden. Aty nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit”, u shpreh Berisha.
Ai nuk bëri të ditur shumën e shpenzuar për këtë proces, por deklaroi se pagesa është mbuluar nga një fondacion që, sipas tij, mbështet kauzat e Partisë Demokratike.
“Lobimi është paguar nga një fondacion që ndihmon PD dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se ndalimi i udhëtimit në SHBA ka qenë i vetmi sanksion që ka pasur ndaj tij dhe pretendoi se ka pasur përpjekje për ta kaluar çështjen edhe në Departamentin e Thesarit./L.F-dritare.net