Miratohen ndryshimet në Kodin Rrugor, ja çfarë ndryshon për shoferët e vjetër dhe të rinj!
Dritare.net

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të propozuara nga deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Erion Braçe. Ndryshimet u votuan me 84 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.
Ndër masat e reja parashikohet që drejtuesit e rinj të mjeteve, për dy vitet e para pas marrjes së patentës, të mos lejohen të konsumojnë fare alkool gjatë drejtimit të automjetit. Kufiri i lejuar për ta do të jetë 0.0% alkool në gjak.
Gjithashtu, Kodi i ri përcakton rastet kur një drejtues mjeti mund të humbasë përgjithmonë të drejtën për të drejtuar automjetin. Patenta do t’u hiqet përjetësisht shoferëve që përsërisin shkeljet dhe kapen me nivel alkooli mbi 0.5 gr/l në gjak.
Kufizimet për shoferët e rinj për 2 vitet e para:
Nuk lejohet asnjë konsum alkooli gjatë drejtimit të mjetit.
Shpejtësia maksimale do të jetë 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.
Nëse gjatë periudhës së provës nuk kryejnë shkelje, kufizimet hiqen pas dy vitesh.
Nëse kryejnë dy shkelje brenda një viti gjatë kësaj periudhe, periudha e provës zgjatet edhe me një vit dhe kufizimet rinisin.
Ndryshimet e miratuara parashikojnë gjithashtu masa të reja për kategori të tjera drejtuesish:
Ndalohet mbajtja e celularit në dorë jo vetëm nga drejtuesit e automjeteve, por edhe nga përdoruesit e biçikletave, motorëve elektrikë dhe monopatinave.
Personat që kapen duke drejtuar automjetin pa patentë do të kenë të shtyrë me një vit të drejtën për t’u pajisur me leje drejtimi.
Për të miturit që kapen pa patentë në timon, shtyrja do të jetë dy vite, pra marrja e patentës kalon nga mosha 18 në 20 vjeç.
Për garat e shpejtësisë ose qarkullimin me shpejtësi të lartë pranë kryqëzimeve, shkollave apo gjatë natës, gjobat rriten nga 10–40 mijë lekë në 20–60 mijë lekë.
Ndryshimet synojnë forcimin e masave të sigurisë rrugore dhe uljen e shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve./K.C/dritare.net