Na ndiqni edhe në

Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë

Arra, viça dhe para. Formula e një fermeri në Kosovë

Në episodin e pestë të ciklit “Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë” në Dritare TV, gazetarja Rudina Xhunga udhëtoi drejt Suharekë për të sjellë historinë e një ferme që po kthehet në model të bujqësisë dhe blegtorisë së integruar në Kosovë. Ajo që e bën të veçantë këtë fermë nuk është vetëm numri i krerëve të bagëtive apo teknologjia moderne, por fakti se blegtoria nuk ishte investimi i parë. Gjithçka nisi nga arrat.

Fermeri Avni Gashi rrëfen se kompleksi ka rreth 18 hektarë tokë, ku 15 hektarë janë të mbjella me afro 4 mijë rrënjë arra, ndërsa pjesa tjetër është e dedikuar për stallat dhe aktivitetin blegtoral. Fillimisht investimi kryesor ishte kultivimi i arrave, por me kalimin e viteve lindi nevoja për të krijuar një sistem të mbyllur prodhimi.

“Ne e kemi bërë blegtorinë për shkak të arrave. Kemi 4 mijë trupa arra dhe duhet t’i plehërojmë. Çdo vit do të na duhej të shpenzonim dhjetëra mijëra euro për plehra, prandaj gjithçka u lidh në mënyrë zinxhirore”, shprehet fermeri.

Kjo filozofi e ekonomisë qarkulluese është pikërisht ajo që na tërhoqi vëmendjen. Plehu organik i prodhuar nga lopët përdoret për plehërimin e plantacionit të arrave, ndërsa një pjesë e prodhimeve bujqësore shërben për ushqimin e bagëtive. Në këtë mënyrë, ferma ka arritur të krijojë një cikël ku çdo hallkë mbështet tjetrën.

“Gjithçka është zinxhir. Lidhet me stallën tonë. Asgjë nuk shkon dëm”, thotë Gashi gjatë vizitës në plantacionin e arrave.

Sot ferma numëron 93 lopë të racës Holstein-Friesian, të marra në Gjermani. Lopët kullosin në hapësira të gjera gjatë ditës dhe kthehen në stallë për ushqim dhe mjelje. Sipas fermerit, ekspozimi ndaj ajrit të pastër dhe rrezeve të diellit ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe produktivitetin e tyre.

“Lopët që dalin jashtë marrin energji dhe rreze dielli. Janë më të qeta dhe më të shëndetshme”, shpjegon ai.

Ferma është e fokusuar kryesisht te prodhimi i qumështit. Qumështi grumbullohet çdo ditë nga industria përpunuese dhe falë standardeve të larta të higjienës klasifikohet në kategorinë “ekstra klas”, çka i mundëson fermës të përfitojë subvencione shtetërore.

“Ne kemi nivel shumë të lartë pastërtie dhe për këtë përfitojmë 7 cent subvencion për çdo litër qumësht nga shteti, ndërsa edhe komuna mbështet fermerët me subvencione shtesë”, tregon Gashi.

Por ndërsa qumështi është produkti kryesor, fermeri nuk e fsheh se zemra e projektit mbeten arrat. Plantacioni prej 15 hektarësh prodhon arra të varietetit Chandler, një kultivar amerikan i njohur për cilësinë e lartë të frutit. Pjesa më e madhe e prodhimit shitet në tregun e Kosovës.

Një element tjetër që e dallon fermën është fakti se arrat ushqehen kryesisht me pleh organik të prodhuar në fermë.

“Ne nuk përdorim plehra kimikë. Përdorim plehun që vjen nga stalla. Kjo e bën prodhimin tonë afërsisht 70 për qind bio”, shprehet fermeri.

Ferma e Suharekës është sot një shembull i qartë se si një investim në pemëtari mund të shndërrohet në një sistem të plotë prodhimi. Ajo lindi nga arrat, u zgjerua me blegtorinë dhe sot funksionon si një zinxhir ku çdo proces ushqen tjetrin./L.F-dritare.net