BE miraton rregullat e reja për dëbimin e emigrantëve. Ja çfarë do të ndodhë!
Dritare.net

Bashkimi Evropian ka miratuar përfundimisht rregulla të reja për kthimin e emigrantëve që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në territorin e tij. Këshilli i BE-së dha miratimin të enjten, më 1 tetor, duke hapur mundësinë për krijimin e qendrave të kthimit në vende jashtë Unionit. Në këto qendra mund të transferohen persona që kanë marrë një vendim largimi, përfshirë azilkërkuesit e refuzuar.
Qendrat, të njohura si “return hubs”, mund të shërbejnë si destinacion përfundimtar ose si pika transferimi për kthimin e mëtejshëm në vendin e origjinës apo në një vend tjetër. Krijimi i tyre kërkon marrëveshje me shtetin pritës, i cili duhet të respektojë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Të miturit e pashoqëruar përjashtohen nga këto marrëveshje.
Marrëveshjet duhet të respektojnë edhe parimin që ndalon kthimin e një personi në një vend ku rrezikon përndjekje apo keqtrajtim. Legjislacioni vendos gjithashtu detyrimin që personat pa të drejtë qëndrimi të bashkëpunojnë me autoritetet. Mosbashkëpunimi mund të sjellë reduktim përfitimesh, humbje të stimujve për kthim vullnetar ose sanksione të parashikuara nga ligjet kombëtare.
Për personat që përbëjnë rrezik për sigurinë, rregullat parashikojnë masa më të forta, përfshirë ndalim hyrjeje pa afat, kur kjo është e justifikuar dhe proporcionale, si dhe mundësinë e mbajtjes në ndalim për më shumë se 24 muaj. Rregullorja do të hyjë në fuqi ditën pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së. Dispozitat për qendrat e kthimit do të zbatohen menjëherë pas hyrjes në fuqi, ndërsa disa masa të tjera pas një viti.
Paketa sjell edhe një urdhër evropian kthimi, që synon të lehtësojë njohjen e vendimeve të largimit mes shteteve anëtare. Për momentin, kjo njohje do të mbetet vullnetare dhe do të rishqyrtohet pas tre vjetësh.
Reforma ka shkaktuar kritika nga organizatat për mbrojtjen e refugjatëve. Këshilli Evropian për Refugjatët dhe të Mërguarit, ECRE, ka paralajmëruar se zgjerimi i transferimeve në vende të treta dhe i mundësive për ndalim mund të dobësojë garancitë për personat që preken nga procedurat e kthimit./dritare.net