Rama: Dhuna në protestë u përgatit prej muajsh, maskat dhe lëndët eksplozive në duart e Policisë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat e dhunshme në Tiranë, duke pretenduar se përshkallëzimi i tyre ishte përgatitur prej muajsh dhe se në organizimin e akteve të dhunës janë përfshirë grupe të tjera përtej studentëve. Në një deklaratë të tij, Rama tha se Policia ka në dispozicion të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe për organizimin e grupeve që, sipas tij, lidhen me rrjetin ANTIFA. Ai pretendoi gjithashtu se dhuna është financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
“Ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, në Shqipëri dhuna është një krim i pajustifikueshëm. Për fat të keq në protestat e javës së fundit u bënë bashkë që të dyja, nga një anë liria për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme dhe nga ana tjetër dhuna si një krim që u relativizua dhe glorifikua në ekranet e korruptuar të mbrëmjeve mediatike. Papushim, orë e çast, shqiptarët panë me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm e idealistë u vunë nën dhunën policore. Një përmbysje dramatike manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër. Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar, në Europë dhe në Shqipëri. S’bën askund vaki që pjesa më e dëmtuar të jetë Policia. Bën vaki këtu.
Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë e të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vetë. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë. Por në duart e Policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Por glasa mbi tortë është PD, që dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, tha mes të tjerash Rama./dritare.net