Rama: Policia ka bërë detyrën, ja krahasimi i të plagosurve në Shqipëri dhe Evropë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për protestat e dhunshme në Tiranë, duke kritikuar mediat për mënyrën se si i kanë pasqyruar ngjarjet dhe duke mbrojtur Policinë e Shtetit. Në postimin e tij, Rama ka publikuar edhe një grafik krahasues me numrin e efektivëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në disa vende evropiane, ku sipas shifrave të paraqitura, në Shqipëri bilanci është 191 policë të plagosur dhe 93 protestues të lënduar.
"Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm
Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:
Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë
Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur
Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik
Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet
Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit
Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës
*** I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e
me jetën studentore
STUDENTËT E VËRTETË JANË ATA QË DUAN TA SFIDOJNË POLITIKËN DHE QEVERINË PA NGRITUR DORËN KUNDËR PRONËS PUBLIKE E PRIVATE, PO DUKE TREGUAR ME GISHT PLAGËT QË KËRKOJNË SHËRIM ME DIALOG DHE ANGAZHIM TË PËRBASHKËT.", shkruan Rama./K.C/dritare.net