Rimbursim brenda 14 ditësh, ja rregullat e reja që miratoi Parlamenti Evropian
Dritare.net

Parlamenti Evropian ka miratuar rregulla të reja për të forcuar mbrojtjen e pasagjerëve në rastet kur udhëtimet anulohen apo ndërpriten. Ndryshimet synojnë ta bëjnë më të thjeshtë procesin e kërkimit të rimbursimit dhe të qartësojnë përgjegjësitë e kompanive të transportit dhe platformave të rezervimit.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët në të gjithë Bashkimin Evropian do të mund të përdorin një formular standard për të kërkuar rimbursim ose kompensim. Formulari do të publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, në të gjitha gjuhët e BE-së, dhe do të mbulojë mënyrat e ndryshme të transportit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me afatet e kthimit të parave. Pasagjerët do të kenë të drejtë të marrin rimbursimin e plotë brenda 14 ditësh, ndërsa përgjegjësitë e agjencive turistike dhe platformave të rezervimit online do të përcaktohen më qartë.
Në rastet kur biletat e avionit janë blerë përmes një ndërmjetësi, rregullat parashikojnë detyrime konkrete për kthimin e parave, përfshirë edhe tarifat e ndërmjetësimit. Nëse ndërmjetësi nuk kryen rimbursimin brenda afatit të përcaktuar, kompania ajrore duhet të ndërhyjë për të garantuar pagesën ndaj pasagjerit.
Rregullat e reja synojnë gjithashtu të përmirësojnë mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara. Kur shoqërimi i tyre është i nevojshëm për arsye të sigurisë së fluturimit, personi shoqërues do të mund të udhëtojë pa pagesë.
Sipas raportimeve, Parlamenti Evropian e miratoi rregulloren më 20 tetor 2026, me 652 vota pro, dy kundër dhe tetë abstenime. Rregullat pritet të zbatohen nga 23 tetori 2027, pas përfundimit të procedurave përkatëse. Deri atëherë, do të vijojnë të zbatohen rregullat aktuale./dritare.net